TIRANE – Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri iu është përgjigjur akuzave të opozitës për situatën e sigurisë në vend, duke publikuar shifrat e vrasjeve dhe vjedhjeve për periudhën janar-prill të vitit 2013 dhe të vitit 2016.

Sipas shifrave të publikuara në faqen e ministrit Tahiri në “Facebook”, bie në sy një rënie e konsiderueshme e numrit të vrasjeve, në krahasim me 3 vjet më parë. Konkretisht, gjatë periudhës janar-prill 2016 kanë ndodhur 26 vrasje, ndërsa në të njëjtën periudhë 3 vjet më parë numërohen 42 vrasje.

Për periudhën janar-prill në vitin 2013 janë numëruar 28 vjedhje me armë, ndërsa në katër muajt e parë të 2016-ës vetëm 2 vjedhje me armë.

Edhe numri i vjedhjeve të automjeteve është reduktuar ndjeshëm, pasi në periudhën janar-prill 2016 numërohen vetëm 91 raste, ndërsa në të njëjtën periudhë tre vjet më parë janë vjedhur 167 makina.

“Ca të vërteta të thjeshta për një Shqipëri më të sigurt! ‪Policia që duam.”- shkruan ministri Tahiri.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb