Institucionet e Kosovës do të punojnë që emri i Republikës së Kosovës të mos ndërlidhet në asnjë formë me luftën që po zhvillohet në Siri, ka thënë ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

Këto deklarata ai i bëri gjatë një takimi me delegacionin e ekspertëve të Bashkimit Evropian, që po qëndrojnë në vizitë në Kosovë për të diskutuar veprimet e Kosovës në zbatimin Planit të Përbashkët kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor.

Ministri Tahiri ka thënë se institucionet e Kosovës, do të vazhdojnë të jenë të vendosura në përmbushjen e obligimeve të saja si anëtare e Aleancës Globale Kundër grupit militant Shteti Islamik, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Drejtësisë.

“Ministri gjithashtu u zotua për zbatim efektiv të Planit të Përbashkët kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor, të bashkëpunoj ngushtë me të gjitha shtetet e rajonit dhe shtetet anëtare të BE-së, dhe të ofroj përvojën e Republikës së Kosovës nga procesi i kthimit, programeve të rehabilimit dhe riintegrimit”, thuhet në komunikatë.

Sipas kësaj komunikate, “delegacioni nga Bashkimi Evropian kanë përgëzuar ministrin Tahiri për guximin e treguar në aksionin për kthimin e qytetarëve nga zona e konfliktit, rezultatet e arritura në përgjithësi në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm dhe bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare të saj”.

Në prill të këtij viti, shteti i Kosovës ka kthyer nga Siria 110 qytetarë. Të gjithë të dyshuarit sipas ministrit Tahiri, do të dalin para drejtësisë, ndërsa viktimat do të vazhdojnë rehabilitimin e tyre dhe riintegrimin në shoqëri.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb