Gazetarja Klodiana Lala në një intervistë në News24 foli për lirimin e ish-ministrit Saimir Tahiri nga gjykata e Elbasanit.
Ajo theksoi se më herët ish-ministri i Brendshëm ka folur për një trinom kundër tij, por ende sot e kësaj ditë nuk dihet se kush është.
Gjithashtu gjatë kësaj interviste theksoi se tashmë Gjykata e Lartë do të jetë instanca e fundit që Tahiri do të ketë përballje dhe se mbeten për t’u parë zhvillimet në vijim.
“Në këto momente zoti Tahiri po lë qelitë dhe po drejtohet në ambientet e banesës së tij. Standardet e dyfishta më shqetësojnë. Tahiri dikur fliste për një trinom kundër tij, ne ende sot nuk e dimë se kush ishte trinomi kundër tij. Ambasada amerikane në rastin e zotit Tahiri ka qenë shumë aktive, ambasadori në atë kohë fliste madje për tentativa për të ndërhyrë në drejtësi. Tahiri trajtohet si favorizues i grupit kriminal Habilaj. Tahiri u dënua vetëm për shpërdorim detyre. Më pas u konvertua në shërbim prove. Tahiri nuk i ka pranuar asnjëherë akuzat. Gjykata e Lartë do të jetë instanca e fundit që zoti Tahiri do të ketë përballje, ndaj edhe ky vendim pritet me interes. Ndodh për herë të parë që një ish-ministër i Brendshëm më jetëgjati, që cilësohej kampion, pati akuzë për trafik drogë. Akuza nuk është provuar dhe basti i tij është në Gjykatën e Lartë. Tashmë aty do të kuptohet nëse ishte pakt që Tahiri të lirohet apo të heshtë? Ai nuk ishte njeri i thjeshtë, por njeriu i sekreteve. Kush i kontrollonte përgjimet? Pra nuk dihet se çfarë mund të kemi në ditën në vijim, por kjo histori nisi me drejtësinë e vjetër dhe tani sytë janë tek SPAK sepse ka të tjera çështje njerëz të politikës”, tha ajo.
(BalkanWeb)