* Meta: Kujdes! Dekriminalizim do të thotë dhe të kemi dhe etikë
* Tahiri-PD-së: I keni dhënë tokë Zaganit me vendim qeverie, e bletë dëshminë e ish-policit

TIRANË-Nje seance e ndezur plot debate te nxehta ka qene nisja e sesionit te ri parlamentar pas pushimeve te veres. Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri mori fjalën në Kuvend duke reaguar rreth akuzave që PD ka artikuluar ndaj tij, ditët e fundit. Por menjëherë ka reaguar nga vendi kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka ndaj kryetari i Kuvendit Ilir Meta dha disa here nga 10 minuta pushim për seancën. Seanca u nderpre disa here, jo vetem se deputetet e PD u ngriten ne kembe per te moslejuar Tahirin te flase, por pasi ky i fundit u shpreh me nje dokument ne dore se opozita e bleu me toke ne Orikum deshmine e Dritan Zagani, ish-shef i antidroges i akuzuar per korrupsion. Reaguan pas tij Noka dhe Berisha.

Tahiri: Sot është koha të bëjmë dallimin e thellë kush ishin dje dhe kush është sot.
(e ndërpret Paloka duke folur nga vendi)
Tahiri: Kur keni durim të dëgjoni atë që keni medemek dhe e mbani si kryetar partie, kini durim të dëgjoni dhe atë që flet në parlament.
E rëndësishme është se qeveria nuk i shmanget kurrë përgjegjësisë për t’i dhënë përgjigje cdo shpifjeje, kjo është histori e njohur për qytetarët shqiptarë dhe për votuesit dhe këtë punë ju e keni bërë në të kaluarën dhe nuk mendoni se meqë e bënit dhe ju kujtoni se e bëjmë dhe ne.
(Paloka ndërhyn sërish nga vendi)
Meta: Dekriminalizim do të thotë të kemi dhe etikë
(Paloka sërish flet)
Meta: Doni pushim, merrni pushim, 10 minuat pushim, qetësohuni dhe kthehemi në kuvend

Rinis seanca, ora 12:20-
Tahiri: Barazia përpara ligjit është kusht themelor për të qeverisur këtë vend

Ndërhyn Flamur Noka, Paloka, deputetet e PD ngrihen ne kembe

Meta: Pushoni. Mos e ndërprisni..

Tahiri: Si ka mundësi që zotëria që flet që ka qenë dhe ministër (Nokës), para se të jepte intervistën Dritan Zagani i ka falur tokë në Orikum, Dritan Zaganit
Shpjegoni pse i keni falur tokë, pse i keni falur objekt, këtë polic që e keni nxjerrë në intervistë, ja ku e keni këtë vendim nr 515..
Sypeshkaqeni, që është bërë djalë i njohur dhe në Hollivud, djali i këtij këtu, që vrau 26 persona, për këto shpifje nuk keni shkuar kurrë në prokurori
Në kohën e Sali Berishës qëllonin me armë në mes të bulevardit oficerë të lartë policie, të cilët jo vetëm nuk u arrestuan por qëndruan në detyrë, madje drejtor në departamentin e Interpolit, ndërsa sot oficerë policie që dalin të implikuar futen në burg. Ju nuk keni dhënë llogari dhe nuk jeni paraqitur kurrë në prokurori. Ky është dallimi ynë i madh, sepse për çdo akuzë dhe shpifje që ju bëni unë jam i gatshëm të shkoj në prokurori.

Noka dhe Paloka janë cuar në këmbë

Meta: Nuk vazhdohet kështu seanca, 10 minuta të tjera pushim..

Ora 12:35: Rinis seanca
Meta: Ju lutem të ruajmë etikën dhe të respektojmë fjalën e ministrit, Të përfundojë ai fjalën dhe më pas ju keni të drejtën tuaj të shpreheni

Tahiri: I nderuar kryetar, unë këti shpejgova dallimin mes mazhorancës dhe opozitës, dallimin dhe standardin qeverisës, ndërmjet qeverisjes dje dhe sot, e treta, sqarova se qeveria e kaluar, ky që bërtet këtu (i referohet Berishës), i them se atij oficerit të arratisur i kanë dhuruar tokë në Orikum me vendim qeverie, në fund të mandatit qeverisës ia dhuruan, dhe shpresoj t’i kenë mesuar dhe notin se mirë që ia blenë tokën buzë detit.
Ju folët për aviona me drogë. Po avioni u kap në bazë të një pune të rakorduar të policisë së Shqipërisë dhe asaj italiane, ky është standardi ynë ku në dallim nga qeveria e kaluar ku dhe atëhere ky është stadarti jonë.
Ky standard i dyfishtë është tregues i punës që bëjmë ne me atë që bëni ju dhe për të ngritur në nivel punën që bëjmë ne me atë që bënit ju dje ndaj Shqipëria vjet nuk ishte më vend origjine për kultivimin e lëndëve narkotike. Sot iu referuat një avioni tjetër në Itali, kam raportin e kuesturës italiane, avioni është nisur nga Torino për Lece, në rastin më të keq juajin i bie që të jetë përfshirë ministri i brendshëm italian dhe kryeministri italian. Por ky avion është nisur në nga Torino në Lece, c’punë ka këtu policia shqiptare njëherë. Nuk kam asnjë sekondë të vetme të harxhoj kohën këtu me ju, sepse kam shumë punë për të bërë. Por nëse dikush i del para punës së policisë do bëjë detyrën ligjore, do mbajë përgjegjësi. Tani shëndet dhe të mira dhe po ju lë të vazhdoni çkeni mësuar të bëni, atë që dini të bëni mëe mirë, shëndet.

VENDIMI I QEVERISE
VKM qe i kalon Zaganit ne pronesi Zaganit nje objekt ne Orikum
VENDIM
Nr. 519, datë 13.6.2013
PËR KALIMIN NË FOND BANESASH TË ISH­-OBJEKTEVE TË DALA NGA RISTRUKTURIMI I MINISTRISË SË BRENDSHME “ISH­POSTA E POLICISË, LESKOVIK”, “ISH­DEPO E PIKËS AUTONOME, VLORË”, “STALLË E ISH­EKONOMISË NDIHMËSE, ORIKUM”, “ISH­REPARTI I OBJEKTEVE, KORÇË” DHE “ISH­LAVANTERI, VAQARR, TIRANË”, ME QËLLIM PRIVATIZIMIN NË EMËR TË BANORËVE, NGA ENTI KOMBËTAR I BANESAVE Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 8, 10, 11 e 13 të ligjit nr. 8743, datë 22.2.2001 “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, të ligjit nr. 9321, datë 25.11.2004, “Për privatizimin e banesave dhe objekteve të kthyera në banesa me fondet e shoqërive dhe ndërmarrjeve shtetërore”, si dhe të ligjit nr. 9232, datë 13.5.2004 “Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane”, të ndryshuar, me propozimin e Ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

VENDOSI:
1. Objektet “Ish­posta e policisë, Leskovik”, “Ish­depo e pikës autonome, Vlorë”, “Stallë e ish­ekonomisë ndihmëse, Orikum”, “Reparti i objekteve, Korçë”, dhe “Ish­lavanteri, Vaqarr, Tiranë”, të dala të lira nga ristrukturimi i Ministrisë së Brendshme, kalojnë në fond banesash për Entin Kombëtar të Banesave.
2. Pas kalimit të këtyre objekteve në fond banesash dhe regjistrimit të tyre në ZVRPP­të e Vlorës, Korçës dhe Tiranës, Enti Kombëtar i Banesave ngarkohet të lidhë pa kundërshpërblim (vlerën e objektit dhe truallit funksional), kontratat e privatizimit me banorët e pastrehë, të përcaktuar në listën emërore të familjeve, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Shpenzimet operacionale të Entit Kombëtar të Banesave dhe hipotekore të përballohen nga përfituesit.
3. Ngarkohen Ministri i Brendshëm, Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Enti Kombëtar i Banesave dhe zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Vlorë, Korçë, të ndjekin procedurat përkatëse.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
KRYEMINISTRI
Sali Berisha
LISTA EMËRORE E ISH­-PUNONJËSVE TË MINISTRISË SË RENDIT PUBLIK QË BANOJNË NË OBJEKTET “ISH-POSTA
E POLICISË LESKOVIK”, “ISH­DEPO E PIKËS AUTONOME” VLORË, “STALLË ISH­EKONOMI NDIHMËSE,
ORIKUM” DHE “ISH­REPARTI I OBJEKTEVE KORÇË”
Objekti “Ish­posta e policisë Leskovik”
1. Mestan Cenolli
2. Roland Malushi
3. Kastriot Nure
4. Thanas Perici
Objekti “Ish­depo e pikës autonome, Vlorë”
1. Bardhosh Nuraj Vlorë
Objekti “Stallë, ish­ekonomi ndihmëse, Orikum”
1. Hektor Shena
2. Dritan Zagani
Objekti “Reparti i objekteve, Korçë”
1. Ilirjan Hamza
2. Orhan Sulollari
3. Sali Bracellari
Objekti “Ish­lavanteri, Vaqarr, Tiranë”
1. Astrit Sinanrrapaj

Gjate gjithe fjales, deputetet e PD qendronin me kembe para foltores se Kuvendit ku po mbante fjalimin ministri Tahiri. Më pas kryetari i Kuvendit i ka dhënë fjalën deputetëve të opozitës.

Meta: Të mbajmë qetësi. Për procedurë Berisha.
Berisha: Ditë dramatike për parlamentin. Nuk mund të ikë Edvin Kristaq Rama. Duhet të përballet me opozitën. Trim me hora nuk ecën më. Të ketë kurajën të mos trembet dhe t’ia themi flakë për flakë.

Meta: Ishte në aktivitet nuk e ndërpres dot.

Topalli: Zoti Meta, sot është dita e parë e sesionit parlamentar. Ne sot po vazhdojmë po japim leje për arrestimin e një deputeti. Po sot avioni i radhës me drogë kapet. Po sot kryeministri vendit nuk vjen të ballafaqohet me qytetarët. E ka për detyrë. Detyra juaj kryetari i Kuvendit është të ndërprisni seancën, të thërrisni kryeministrin. Nuk merremi me ushtarët. Është detyrë e tij, ju si kryetar duhet të ndërprisni seancën. Edi Rama i ka vendosur ata që qëllojnë zgjedhësit e tij. Është Edi Rama që ka vendosur të fyejë veriun, të fyejë katolikët. Është Edi Rama fajtor, jo Armando Prenga.
Ti ministri i shtetit, ushtari i kryeministrit. Unë kërkoj kryeministrin, e ke për detyrë ti kryetar ta thërrasësh.

Noka: Sot zoti kryetar keni dhënë gabim lejen për të folur një trafikanti. Keni provokuar deputetët, qytetarët. Po të kishte një njeri që të futej në vrimë e të mos dilte sot, duhet të ishte ky këtu. Ky që doli dhe dërdëlliti. Ky që doli dhe ju thotë unë dhe kryeministri, se ju të tjerët nuk ekzistoni. Ky e ka shndërruar Shqipërinë në Kolumbi. Ky i bëri që ato që i thoni ju mushkonja të pushtojnë qiellin e Shqipërisë. Si kurrë ndonjëherë. Shqipëria konsiderohet se mbretëria e hashashit. Shkatërruar çdo centimetër të vendit. Fabrikat e kokainës u instaluan në Shqipëri si kurrë ndonjëherë. Ka patur vrasje mafioze të pazbuluara, njerëz të zhdukur. Të gjitha përgjegjësitë bien mbi këtë dhe kryeministrin. Avioni i kapur dje me drogë të çojnë tek ky. Të gjithë dalin njerëz të lidhur me këtë. Si mund të mbillet Shqipëria hashash pa pasur një mburojë politike. Pse s’kishte të dhënë asnjë, për të trafik kokaine. DASH thoshte se Shqipëria nuk shihet si vend i sigurt i trafikut. Të gjitha këto ju i keni diskutuar çdo ditë me njëri-tjetrin. Kur vini këtu doni ta mbroni. Nuk mund të mbrohet.
Ai oficeri, Zagani ka qenë një oficer në punë të tij. Ai ka pasur bashkëpunim me Guardia di Finanza. Bashkëpunëtorët janë në nivelin drastik të mundshëm sepse nuk kanë besim. Se këta janë të lidhur me krimin. A ishte skafi që u bë publik nga oficeri i policisë. A ishte makina e këtij që shkonin trafikantët e mbushnin me hashash. A mund të jetë vend normal kur ndodhin gjithë këto gjëra. Kryeministri duhet ta shkarkojë. Dhe çoni në burg njerëz që nuk kanë të hanë. Pusho! Ju kam thënë mos e bëni ministër se ka qenë përdorues hashashi dhe i skeduar në Policinë e Shtetit. Ja ku e keni. Shqiptarët kanë një fat sepse qeveria e Sali Berishës liberalizoi vizat dhe sot po ikin jashtë. Realiteti i dhimbshëm i frikshëm. Ju e dini të gjithë e flisni me njeri-tjetrin po nuk e pranoni. Çdo kush e thotë ky të zhduket. Nuk mund të thoni lëreni të flasë. E pranoni për hir të karrigeve. Nuk mund ta pranojmë që ky të jetë ulur në këtë karrige si ministër. Në rast se ju keni moralin e tillë që ta pranoni, ne dhe qytetarët e këtij vendi nuk mund ta pranojmë kurrë. Largojeni sa nuk është vënë se ky dhe shokët e tij, do tu marrë përpara dhe do tu çojë nëpunës, do përfundoni në batak.

Meta: Zoti Noka e ngriti shumë zërin sa s’kishte nevojë. Ulërima nuk është argument. Ta dëgjojmë njeri-tjetrin. Të lutem zoti Kokëdhima.

Kokëdhima: Sali mblidhi dhe qetësoji të tutë. Ju jeni i fundit politikan i këtij vendi që bëri aq shumë shkatërrim dhe tradhti ndaj vendit të tij. Ti e qeverise këtë vend, si dhe me një bandë. Ç’të të kujtojmë, shkatërrimin e institucioneve të shtetit, grabitjen e shtetit, grabitjen e tokave. Të të kujtojmë grabitjen e zgjedhjeve, informalitetin që mbolle në këtë vend, zhvillimin kaotik..Gërdecin, 21 janarin. Shitjen e detit që e bëre me aq qejf dhe sa e sa të tjera. Ti ke vetëm një të drejtë Sali. Me gjithë sjelljen tënde si prokuror, shpifës, mashtrues, gënjeshtar, ke vetëm një të drejtë të ishe para drejtësisë të përgjigjeshe për të gjitha poshtërsitë që i bëre këtij vendi. Nuk them se e majta jonë është e përsosur. Di të them se e majta nuk ka bërë asnjë vepër të rëndë kundër atdheut si ti. Do të vijmë edhe tek tema jote e bukur. Tek kanabisi. Jam dakord që ekonomia ilegale e kanabisit, është një ekonomi me përmasa të gjera në Shqipëri. Por, mos kujtoni se ekonominë ilegale të kanabisit, e shpiku dhe e ngriti Saimir Tahiri. Ti babai i informalitetit, ti ati i krimeve, ti e shpike dhe e ngrite Lazaratin dhe sa e sa ngjarje të tjera informale. Ne jemi maxhorancë shumë e hapur, për kritikat që vijnë nga shoqëria, nga shtypi dhe për ato që vijnë nga opozita dhe jemi të vëmendshëm dhe reagues për çdo kritikë të drejtë. Por s’mund që gjithë prodhimin e këtij gënjeshtari dhe shpifësi. Nuk do të pranojmë kurrë si prokuror dhe gjykatës, kurrë si akuzator dhe kurrë si Zot në këtë vend. Ti do jesh ai që ka vendosur populli.
Ne do ta mbështesim Tahirin në përpjekjet për të vendosur rregull. Kur flet për mua dhe kanabisin ti je një shpifës vezullues. Kam qenë dhe mbetem në krah të policisë dhe gjithë organeve të shtetit shqiptar që veprojnë kundër ekonomisë kriminale. Kurrë nuk kam ftuar njeri të sfidojë ligjin. Pusho! Dëgjo plak i nxituar. Qetësohu dhe dëgjo! Kurrë nuk ka ftuar askënd të sfidojnë ligjin. I ftoj të gjithë qytetarët të mos sfidojnë ligjin sepse ka kosto të rënda për qytetarët. Nuk kam folur dhe nuk kam nënkuptuar ekonomi informale të kanabisit. Si mendon që mijëra fshatarë shqiptarë e bëjnë kanabisin për të sfiduar ligjin, por sepse ti shkatërrove mundësitë për rrugë të tjera. U the fshatarëve bëni bujqësi pa kanale, pa kullim, pa asistencën e shteti. Ti u talle me fermerët e këtij vendi. Kjo situatë e ekonomike i nxit sa e sa njerëz të gjejnë rrugë edhe në mënyrë të paligjshme, do apo s’do ti. Unë kam folur për kanabisin terapeutik. Se je edhe doktor ti, ti doktor që mos qofsh! Kanabisi terapeutik është një alternativë për mjaft njerëz që vuajnë. Për çfarë arsye do ti ikë Shqipëria këtij debati ku është përfshirë bota e zhvilluar.

BERISHA: JEP DORËHEQJEN, TË HETOHESH PA IMUNITET. META: AKUZAT ÇOJINI NË PROKURORI
Ish-kryeministri Berisha ka folur edhe për akuzat ndaj kreut të Kuvendit, Ilir Meta dhe çështjen e CEZ. Ai i kërkoi Metës të dorëhiqet, në mënyrë që të hetohet pa imunitet. Ndërsa kreu i Kuvendit i është përgjigjur se akuzat mund t’i çojë në prokurori.

Berisha: Dy vjet më parë, pasi kisha humbur zgjedhjet në parlament i thashë lidhjet e tua me krimin janë universale. Por shqiptarët të amnistuan. Këta hora, banditë e peshojnë në para dhe ky është i çmendur pas parave. Thirrja ime të mbështesim paketën (dekriminalizimi), si një kusht themelor për tu treguar shqiptarëve se kemi vendosur të ndahemi nga e shkuara e zezë. Dy fjalë kryetar, bashkëkryetar i kësaj maxhorance, akuza për ty ka ardhur nga një studio avokatie që ka bashkëpunuar me avokaten e shtetit për të mbrojtur interesat e kësaj qeveri. Në rast se ju faktoni në prokurori se ato fjalë ja ka thënë Sahit Dollapi, le të marrë dënimin e merituar. Por të gjitha këto meritojnë lënien e imunitetit. Sepse akuzohet një njeri që paratë i ka ndarë me ty. CEZ-i, deklaron se ke shkuar si Ministër i Jashtëm dhe jo Ministër Ekonomie dhe ke negociuar për Ismailaj. Këto janë dokumentet neutrale. Kjo çështje kërkon hetim të padiskutueshëm. Ti çfarëdo që të kesh shko thuaji në prokurori. Ti ke akuza konkrete nga përfaqësuesi i kësaj qeverie, përfaqësuesi juaj. Kjo nuk mund të kalohet. Ka firmosur Sahit Dollapi për këtë, shko thuaje në prokurori.

Avokatët e tu që shpërndajnë komunikata në emrin tënd nuk të ndihmojnë se të shpërndash kontrata dhe të thuash se kjo kontratë është firmosur gjatë kohës që ke qenë min i jashtëm në kohën që ke negociuar si i tillë, kjo të rëndon. Jep dorëheqjen! Ne kërkojmë që këto të hetohen pa imunitet. Është kërkesë civile në të gjitha parlamentet e botës. Kjo është çështje e pastër. Ju bëj thirrje, e mbyll fjalën time që e gjitha kjo rrokullisje e madhe mund të marrë një kthesë po të votojmë paketën e dekriminalizimit.

Meta: Nuk kam ndërmend të marr nëpër gojë atë dhe lidhjet me personi që përmendi. Nuk është në natyrën time të përgojoj kolegë, bashkëpunëtorë të tyre dhe të afërm të tyre. Kjo firmë e ka firmosur marrëveshjen me zotin Sait Dollapi kur ju keni qenë kryeministër. Akuzat çojini në Prokurori.

TAHIRI: OFICERIN ZAGANI TA INSTRUKTONIT TAMAM, PROKURORIA DO ZBARDHË ÇDO AKUZË
Duke iu përgjigjur akuzave ndaj tij për lidhje me trafikun e drogës dhe denoncimet e ish-shefit të antidrogës në Fier, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha se Prokuroria do të zbardhë çdo akuzë.

“Edhe për shkak të dallimit që kemi në qasjen ndaj drejtësisë, ndaj institucioneve, ndaj qytetarëve, unë dua të them se punonjësin e policisë që e kanë paguar për të bërë një intervistë do ishte mirë ta instruktonit tamam. Është prokuroria që do zbardhë çdo akuzë tuajën. Ju ftoj të paraqiteni në prokurori, por të mos shkoni para gjykatës dhe të thoni se kështu ju ka mësuar partia”, tha Tahiri.

(da.bo/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: