Gjykata e Krimeve të Rënda ka marrë sot vendimin që të shtyjë për në datë 19 shtator 2019 gjyqin në ngarkim të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, akuzuar për tre vepra të rënda penale.

Tahiri, në një deklaratë për mediat tha se akuzat janë të stisura dhe se do i shkojë deri në fund luftës për drejtësi.  Ish-numri një i Ministrisë së Brendshme theksoi se ke politikanë që kanë vrarë njerëz dhe kanë vjedhur miliona e sot janë në majë të politikës.

“Kam pritur dy vjet. Do pres edhe datën 19 që gjykata të japë vendim. Unë do merrem me drejtësinë, kjo është betejë. Në këtë vend ka deputetë që kanë vrarë njerëz dhe nuk kanë shkuar as në Prokurori, kurse unë kam dhënë dorëheqje si deputet. Ata që i fshehën drejtësisë, sot janë në politikë. Mua më intereson drejtësia dhe liria. Unë dua të jem i lirë.

Praktika ka treguar se sot i ke në krye ata që kanë akuza për vrasje njerëzish dhe për vjedhje stratosferike. Unë nuk po mendoj për këtë, por për drejtësinë time”, tha Tahiri.

(d.xh/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb