Libri “Shpresuam dhe mbijetuam”, shkruar nga Taisa Pisha, është një libër autobiografik i bazuar në ngjarjet e jetuara nga autorja në vitet e kaluara në Shqipëri gjatë periudhës 1957-1990. Në vitet 1976-1986 autorja u burgos nga regjimi komunist dhe vuajti dënimin në burgjet dhe kampet e punës në Shqipëri.

Ajo përshkruan denoncimet, spiunimet, përgjimet e shpifjet, të cilat ishin kthyer në normat e jetës, madje edhe brenda qelizës së familjes. Me librin “Shpresuam dhe mbijetuam” ajo jep lidhjen që krijoi me Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë 33 vjetëve të qëndrimit të saj. Vend qendror në libër zënë gratë ruse dhe shqiptare që ndanë me Taisën fatin e persekutimit dhe vite të vështira në burg a në kampet e punës. “Shpresuam dhe mbijetuam”(OMSCA-1) u botua për herë të parë në gjuhën ruse.

Mbas daljes së librit në këtë gjuhë, Taisa donte që libri të botohej në Shqipëri, e botimi në shqip kurorëzon dëshirën dhe amanetin e autores, të ndarë nga jeta më 2015. Taisa Pisha (Batkina) ka lindur në Tula të Rusisë më 1932, në një familje nëpunësish të thjeshtë me origjinë hebreje. Në fillimin e viteve ’50 njihet në Moskë, ku ishte për studime në Fakultetin e Kimisë, me studentin shqiptar Gaqo Pisha, me të cilin martohen dhe u lind një djalë.

Mbas përfundimit të studimeve, së bashku me familjen vendoset në Shqipëri, ku ka punuar si pedagoge në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, në Kombinatin e Tekstilit në Berat dhe në Kombinatin e Drurit në Tiranë. Gjatë viteve 1976-1986 akuzohet për spiunazh dhe agjitacion e propagandë, e dënohet me 16 vjet heqje lirie, nga të cilat vuan 10 vjet. Lirohet me amnistinë e janarit 1986. Më 1990 i lejohet riatdhesimi në Bashkimin Sovjetik dhe largohet me dy djemtë e saj. Në 1992-shin riatdhesohet në Izrael, ku pati jetë të qetë për 23 vjet.

PJESË NGA LIBRI
Pranë GAZ-it dallova një burrë dhe një grua. “Hipni, – më tha gruaja, – duhet t’ju pyesim për ca gjëra.” U ula dhe po atë çast erdhi po ai punëtori me pallton dhe çantën time. GAZ-i u nis. Atë çast as më shkoi në mendje që më kishin arrestuar. “Me siguri, në burg po më çojnë”, – mendova, ende pa e ndjerë mirë kuptimin e këtij mendimi.

Po, kthyem në rrugën që të çonte te burgu. Ishte rrugë e njohur për mua… Pastaj nisi kontrolli, një procedurë e rëndë, poshtëruese. Më hoqën çorapet, brezin, më morën çantën dhe më çuan diku nëpër shkallë dhe në një korridor të gjatë. Nuk mbajta mend gjë, as korridor, as shkallë, as dyer. Gardiania më shtyu brenda në një kamare të zbrazur me dysheme të zezë dërrase. Në cep qe flakur një dyshek i lerosur kashte dhe dy batanije të pista, të grisura. Në cepin pas derës ishte një kovë e ndyrë. Isha zbathur, këpucët më urdhëruan t’i lija në një komodinë në korridor; po aty i lashë edhe teshat e sipërme. E tmerruar dhe e hutuar u ula në qoshe të kamares.…
Ai më zgjati një fletë: “Firmosni këtu, është urdhri i arrestit”. Arrita të lexoja: “Agjitacion dhe propagandë”.

NË BURG, GJATË HETIMIT
Ditën e dytë pas arrestimit, llozi pas derës lëvizi me gërvimë të tmerrshme, u hap dera dhe gardiania thirri: “Merri plaçkat!” Nuk e mora vesh se çfarë plaçkash duhej të mblidhja. Ajo më shtyu me harbutëri, më tregoi me kokë dyshekun, batanijet dhe pagurin e ujit. Pasi i mblodha të gjitha, ajo më drejtoi nëpër korridor, ndaloi pranë një dere dhe më shtyu brenda.

Aty pashë një grua rreth 35 vjeçe…
Specialistët dhe këshilltarët sovjetikë, deri para prishjes së marrëdhënieve, punonin në të gjitha fushat e jetës në Shqipëri, në ushtri, në industri, në financa… kudo. Ata kishin informacion të plotë për gjendjen në vend, ishin në gjendje të rekrutonin spiunë dhe agjentë të vërtetë, me vlerë, çka besoj se e kishin bërë. Për këto nuk kam ditur gjë as atëherë, as tani. Mirëpo këta spiunë duheshin kërkuar, duheshin gjetur, e kjo nuk ishte fort e lehtë. Kurse kështu… kap, arresto, frikëso, kërcëno, torturo dhe… mbaroi puna, rrjeti agjenturor u zbulua!… Dekorata dhe lavdi çekistëve trima shqiptarë, sigurimsave! Kurse për njerëzit e vegjël, për fëmijët e tyre, për burrat, as që do të dijë njeri. Njeriu është një… hiç!…

Hetimin e zhvillonin rregullisht dy hetues. Me një hetues nuk lejohej. Organet nuk i besonin njeriu dhe hetuesit ruanin e përgjonin njëri-tjetrin. Pastaj, mendonin se gratë mund të akuzonin hetuesin për ngacmim seksual. Raste të tilla ka pasur. Ama, kur njëri prej dy hetuesve donte të të godiste, tjetri dilte nga dhoma. Gjithçka pa dëshmitarë.

Hetuesi im ishte Fejzo Aloçi. Burrë jo fort i zgjuar, me arsim të mesëm. Me të në çift punonte Fatos Trebeshina. Ky po, ishte i zoti, me “gramë”. Ata luanin secili rolin e vet: Fejzo i mirë dhe Fatosi i keq. Megjithëse Fatosi edhe pa këtë rol ishte i lig, inatçor, i pabesë dhe hakmarrës. Nganjëherë edhe Fatosi luante rolin e “të mirit” dhe para se të niste nga pyetjet, më thoshte se në shtëpi të gjithë janë mirë. Atyre nuk u zije dot besë, por ja që na e kishte qejfi të besonim se thoshin të vërtetën dhe qetësoheshim disi. Hetuesit të tillë duhej të ishin: njerëz pa moral, të vrazhdë, zhurmëmëdhenj.

Ata duhet të besojnë në rendin që i ka nxjerrë dhe që i paguan mirë. Kjo punë u siguronte atyre gjithfarë të mirash materiale, por dhe respekt përzier me frikë të njerëzve përreth. Për t’i ruajtur këto të mira, ata ishin gati për gjithçka. Ja, kështu shkonin marrjet në pyetje, herë buzëqeshje të ëmbla, herë britma. “Hë, si ndihesh? Të pëlqen supa këtu?” (“Supa” ishte lëtyrë e zezë, e tmerrshme, që mund ta haje vetëm pas një urie disaditëshe). “Çka! – i përgjigjesha. – Në kohën e luftës kemi provuar edhe më keq”. Paskëtaj supën nuk ma përmendën më.

TORTURAT
Pas afër një viti vetmie, pas frikës, torturave, poshtërimeve dhe të panjohurës, unë nuk ndihesha mirë mendërisht; e kisha humbur plotësisht aftësinë për të rezistuar, as doja të dija se sipas çfarë neni do të më gjykonin dhe se sa vite do të më jepnin. Që ditën e parë të arrestimit e pata të qartë se fatet tona ishin vendosur… lart, që nuk do të na lëshonin pa na gjykuar. E torturuar, e dobët, e thinjur, prisja me padurim gjyqin.

E dija që gjyqi për ne do të ishte i egër, i pamëshirshëm dhe i padrejtë, që prej tij s’duhej pritur ndonjë e mirë, por ai ishte i pashmangshëm. Shpresoja që pas gjyqit do të më lejonin një takim me familjen time. Mezi prisja çastin kur do të dilja nga qelia, të shkoja në kamp, të isha mes njerëzve.

(GazetaShqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb