Emisioni ‘Tak Fak’

Z Fran Laskaj ka ndërtuar një kasolle derrash mes shtëpisë së dy vëllezërve Prendi në Fshat Laç të Kurbinit. Laskaj pretendon se ka një certifikatë pronësie për truallin 410 metër katror, ku ka ndërtuar kasollen e derrave. Gazetarja Klaudia ka shkuar pikërisht në Bashkinë e Laçit.

Gazetarja: Na ka ardhur një shqetësim, në redaksinë tonë nga një qytetar, ku në mes të shtëpisë së zotërisë dhe vëllait të tij, është ndërtuar një kasolle derrash. Me ligj është e ndaluar kjo. Nuk mund të jetojnë dot derrat me njerëzit. Ky është shqetësim që nesër mund të kthehet dhe në gjakmarrje, nëse nuk ndërhyhet. Si mund të ndërtohet një kasolle derrash në një zonë të banuar? Kush është instanca që merret me këtë problem?

Zyrtarja e Bashkisë Laç: Bëni një kërkesë me shkrim, e dorëzoj në zyrën përkatëse.

Gazetarja: Pse është kaq e vështirë të marrim përgjigje, kur ne jemi në zyrat e bashkisë?

Zyrtarja e Bashkisë së Laçit: Kështu funksionon. Bëhet kërkesa me shkrim dhe brenda afatit ju merrni përgjigjen.

Tomë Prendi: Jemi interesuar dhe asnjë institucion nuk ndërhyn për këtë problem.

Në lidhje me problemin, ‘Tak Fak’ ka pyetur juristin Alban Duraj, që jep një përgjigje për këtë rast.

Alban Duraj, jurist: Ligji për planifikimin urban, kur ndërtohet një stallë bagëtish ka përcaktuar edhe distancat. Distanca minimale është 50-100 metër për dele e dhi, kurse për derrat distanca është 150-300 metër. Shtetasi që merret me mbarështimin e kafshëve duhet të kujdeset për higjienën. Te kasollja duhet parë cilat janë kushtet higjienike, a ka ujë për pastrim, a ka kanalizim. Për këto probleme, qytetarët mund t’i drejtohen Inspektoratit të Shëndetit Publik, që dalin me një akt ekspertimi, nëse kasollja duhet të jetë aty. Gjobat për këto raste janë të konsiderueshme. Nëse standardet nuk plotësohen, shkohet deri në mbylljen forcërisht të stallës apo kasollës së derrit apo derrave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb