Skënderbeu është në krizë dhe si kurrë më parë në epokën e suksesshme të klubit mbylli një vit me katër humbje radhazi në kampionat. Një situatë e paprecedentë që i ka shtangur të gjithë në Korçë, madje i ka humbur qetësinë karakteristike edhe vetë kreut të klubit. Një situatë e mbushur me hije dyshimesh për vazhdimësinë, probleme të brendshme, “senatorë” që nuk po i përgjigjen trajnerit, vendimi i KAS-it që nuk po vjen dhe deri te vonesat e rrogave.

Por, për të gjitha këto është vetë presidenti Ardjan Takaj që ka vendosur të flasë pas dy javësh të mbushura me polemika. Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, presidenti i bardhekuqve ka për të gjithë. U përgjigjet atyre që aludojnë për humbjet e Skënderbeut, sqaron dorëheqjen e Orges Shehit pas ndeshjes me Luftëtarin, si dhe zbulon për herë të parë se çfarë ndodh me rrogat.

“Këtu i gjithë problemi është se pse mundim ne Partizanin. Kush do flejë mbi dafina dhe do të mendojë se ne nuk jemi për titull, do të bëjë gabimin më të madh. Nuk heqim dorë kurrë, do ta shikoni në fushë”, thotë ndër të tjera kreu i klubit korçar.

takaj

Zoti Takaj, katër humbje radhazi Skënderbeu i pësonte për herë të fundit në vitin 2010, kur luftonte për mbijetesë. Si e shpjegoni këtë situatë?

Situata është e rënduar dhe kjo nuk diskutohet, pasi janë rezultatet që e tregojnë. Duhet të pranojmë që skuadra po kalon një krizë dhe në gjithë këto vite që unë jam në krye të klubit nuk është parë kurrë një situatë e tillë. Çudia më e madhe është se Skënderbeu ka bërë katër humbje rresht dhe kjo nuk na trondit vetëm neve, pasi të gjithë besoj ishin mësuar me një skuadër që dominonte. Megjithatë, e kemi analizuar me kujdes këtë moment dhe kemi nxjerrë konkluzionet tona.

Që do të thotë?

Katër humbjet e fundit i kam ndjekur të paktën 10 herë përmes videove. Ndeshjet janë parë dhe riparë nga të gjithë. Ajo që unë garantoj është se këto humbje nuk vijnë prej ndonjë problemi jashtë fushës. Diku ka ndikuar fati, diku arbitri, pastaj portieri dhe forma e dobët e disa lojtarëve që ne të shkojmë në këtë situatë.

Takaj

Të gjitha ndeshjet kanë specifikat e veta dhe nuk mund të thuash që është një krizë e përgjithshme. Sigurisht, në këto ndeshje kemi pasur edhe mungesa të vazhdueshme dhe duke ditur që Skënderbeu nuk është ai i sezonit të kaluar, mungesa e alternativave në stol na ka penalizuar. Duke mos pasur një stol të fortë, jemi treguar të brishtë në këtë moment.

Ju mendoni se në këtë krizë kanë ndikuar vetëm çështjet sportive, jo faktorë të jashtëm që mund të kenë bërë që skuadra të humbasë besimin për vazhdimësinë?

Jo, absolutisht. Unë e njoh mirë ekipin që kam dhe kjo është thjesht një krizë sportive. Në këtë periudhë të vështirë i kam qëndruar shumë afër skuadrës dhe ju siguroj se brenda grupit nuk ka pasur asnjë problem. Harmonia është ajo që ka qenë, por së fundmi është shtuar nervozizmi, që vjen vetëm prej rezultateve të dobëta. Në momente të caktuara lojtarë të veçantë e kanë shfaqur këtë edhe në ndeshje.

Si e keni parë sjelljen e lojtarëve kryesorë si Vangjeli, Radas, Muzaka dhe a është e vërtetë se raporti juaj me ta nuk është më si më parë?

Marrëdhëniet tona nuk është se kanë ndryshuar, por përgjegjësia e atyre në këto momente është shumë më e madhe. Normalisht, janë “senatorët” ata që janë përzgjedhur që në fillim për të tërhequr lokomotivën, e cila quhet Skënderbeu. Në këtë moment një gabim i tyre është sikur të jetë i portierit, pra, që vihet re shumë më tepër se i ndonjë lojtari tjetër.

takaj

Unë, kur bëj mbledhje me ekipin, natyrisht do të kritikoj atë lojtar që pres më tepër, jo atë që aq ka mundësi dhe aq ka dhënë në fushë. Duke pasur shumë vite në skuadër, janë pikërisht këta lojtarë që duhet të nxjerrin nga kjo situatë ekipin.

Si është e vërteta me dorëheqjen e Orges Shehit pas ndeshjes kundër Luftëtarit?

Normalisht, erdhi dhe paraqiti dorëheqjen. Nuk ishte çështja se Shehi nuk e përballonte dot këtë situatë, por ai mendoi se që të ecte puna, duhej bërë një ndryshim që gjërat të merrnin një tjetër rrjedhë. Edhe Orgesi është i ri në trajning dhe më tha se nëse ishte ai pengesa e kësaj pune, pasi rezultatet nuk po vinin, atëherë më mirë të bëhej një ndryshim dhe të merrte përsipër këtë situatë.

Ai mendoi se një trajner tjetër mund të ndryshojë gjendjen, por unë kurrsesi nuk e pranova këtë, sepse kjo krizë iu ndodh edhe ekipeve më të mëdha se ne. Shikoni çfarë po ndodh te Reali i Madridit apo Bajerni i Mynihut, janë shumë ekipe që kanë kaluar kriza të tilla. Nuk i shpikëm ne këto kriza në futboll, por varet në çfarë momenti të kap. Pastaj, edhe Kukësi në fillim të sezonit ishte shumë pikë mbrapa, ndërsa tani e sheh veten afër kreut.

Jeni i ndërgjegjshëm se njerëzit që juve ju keni besuar merkaton në verë kanë dështuar me afrimet, pasi nga të gjithë vetëm Dejvi Bregu ka bërë diferencën në pjesën e parë të sezonit?

Nuk është aq e lehtë. Përshtatja dhe loja që bëhet kundër Skënderbeut nuk është si e ekipeve të tjera. Po të shikosh festën e Kukësit dhe skuadrave të tjera pasi na mundin ne, do të thotë shumë. Pra, nëse na mundin ne, e quajnë fitore të dyfishtë, pasi jemi kampionët. Problemi i të ardhurve në verë është ambientimi dhe sjellja si kampionë, duke përballur çdo situatë. Kur je kampion ke edhe pasoja të tjera, sepse kundërshtarët luajnë shumë më të mobilizuar kundër nesh.

Në këtë periudhë ka pasur opinione të ndryshme nga ish-trajnerë, analistë, por jo vetëm, se Skënderbeu rrezikon të prishë kampionatin, pasi nuk ka motivimin e duhur, duke qenë se nuk luan dot në Europë. Sa ju kanë shqetësuar këto?

Nuk më shqetësojnë fare mua këta që flasin kundër Skënderbeut, sepse e di ku e marrin rrogën. Unë e di nga kush paguhen dhe në çfarë vende i hanë drekat. Këtu i gjithë problemi është se përse mundim ne Partizanin, e kuptoni çfarë bëhet…?! Pastaj, kur mundemi ne, nuk e di se çfarë problemi kanë.

Ata kanë problemin e miqve të tyre, nuk e kanë të vetin. Këta lloj njerëzish që dalin nëpër studio nuk e kanë pranuar Skënderbeun që kalonte katër ture në Ligën e Europës. Muça, për shembull, është parashikues. Këtu vetëm Skënderbeu ka shkuar në grupe, nuk di ndonjë skuadër që të ketë bërë si ne. Nuk jemi ne ekipi që luajmë një tur dhe merr plaçkat dhe ik në shtëpi. Nëse kanë burrëri, të flasin jo vetëm kundër Skënderbeut.

takaj skenderbeu

Sa ka ndikuar pritja e stërzgjatur nga KAS te skuadra?

Lojtarët nuk e dinë fare këtë çështje. Vendimi nuk vjen para qershorit dhe ata nuk mund të ndikohen fare. Nuk na ka prishur punë kjo, pasi ndryshe nuk do të shisnim lojtarë. Kemi blerë në çdo moment futbollistë dhe në skuadër aktualisht kemi nga ata që i lakmojnë të gjithë. Të jeni të bindur ju se lojtarët e Skënderbeut nuk kanë fare humbje besimi dhe nuk dëgjojnë aspak se çfarë thonë lart e poshtë. Ata besojnë te klubi dhe projekti që ne kemi.

Lojtarëve të mi iu është mësuar veshi aq shumë këto vite, saqë këta që flasin lart e poshtë nuk iu bëjnë fare përshtypje. Ne jemi një vend ku disa ish-lojtarë mendojnë se vetëm ata kanë luajtur futboll. Pra, Shqipëria nuk ka pasur më histori, por e kanë mbyllur ata djemtë e bukur që kanë luajtur dikur. Kjo është ajo që përcjellin në opinion, duke i menduar këta që luajnë tani lojtarë të dorës së katërt. Në sytë e mjeshtrave që na japin mend në televizione në Shqipëri është mbyllur futbolli që para 20 vitesh, nuk luhet më. Sa e lanë ata futbollin, në Shqipëri nuk ka më…

Thatë që nuk do të ketë vendim nga KAS para qershorit, më konkretisht çfarë indice keni marrë?

Zyrtarisht, ne dimë që vendimi do të merret në muajin mars dhe do ta fitojmë atë çështje. Jemi lajmëruar për gjyqin, por datën nuk mund ta bëjmë publike, vetëm mund të them se është në muajin mars dhe me siguri deri në maj do të mësohet se çfarë vendimi do të merret.

takaj

Çfarë do të ndodhë në janar me skuadrën?

Klub më të investuar se Skënderbeu nuk ka, për këtë të jeni të bindur. Vetëm infrastrukturën që ka të ngritur klubi ynëështë sa gjithë kampionati shqiptar. Garancia është maksimale, kështu që në janar do të bëjmë afrime. Jemi afër me tre lojtarë, bëhet fjalë për mesfushorë dhe sulmues.

Nuk është se do të bëjmë ndonjë hata, sepse është një periudhë merkatoje që ka pak zgjedhje. Më tepër jemi fokusuar jashtë Shqipërisë dhe jemi në hapat e fundit të nënshkrimit me një mesfushor që është pjesë e një kombëtareje të huaj. Emrin nuk e them dot pa ardhur në Shqipëri, se tani po e morën vesh, e rrëmbejnë në rrugë (qesh). I kemi studiuar mirë, por merkatoja e dimrit, nga eksperienca që kam, më shumë na ka rezultuar e dështuar sesa efektive.

Ku do të shitet Fidan Aliti?

Në këtë periudhë kemi folur me shumë, por zyrtarisht si për hyrje dhe dalje nuk ka diçka konkrete. Mos prisni emra klubesh, ka sa të duash, por kur të firmosim do të jemi të qetë. Politika jonë është e qartë, në rast se ndonjë klub plotëson kërkesat tona për të blerë lojtarë, dera është e hapur.

takaj

Çfarë prisni nga skuadra në pjesën e dytë të sezonit?

Të presësh shumë nga ky Skënderbe, së pari, duhet të jesh realist, sepse janë bërë ndryshime të mëdha. Pastaj, ne shtatë pikë jemi larg kreut. Në këto katër humbje radhazi që pësuam, sikur një fitore të kishim marrë, do të ishim mirë tashmë. Në janar presim Partizanin në shtëpi dhe ju them që Skënderbeu nuk heq dorë nga titulli. Kush do flejë mbi dafina dhe do të mendojë se ne nuk jemi për titull, do të bëjë gabimin më të madh. Nuk heqim dorë kurrë, do ta shikoni në fushë tashmë.

Në ndeshjet e fundit në Korçë stadiumi ka qenë thuajse i boshatisur. Keni një koment për tifozët?

Kanë ndikuar shumë faktorë. Kemi tetë emisione sportive, 500 specialistë, mes tyre 100 për interesa shumë të vogla. Ka nga ata që e nxijnë futbollin shqiptar sikur të jemi ne kanceri i Europës. Normalisht që të gjitha këto ndikojnë te tifozët, sepse janë po këta që e nxijnë futbollin, pasi s’kanë faj, jetojnë në vendin më të zhvilluar të Europës. Çdo krahasim e bëjnë me kampionatin anglez, gjerman dhe spanjoll, kështu që do të braktisen edhe stadiumet.

Disa njerëz janë edhe naivë, duke dëgjuar gënjeshtra. Në këto kushte ndikohen totalisht dhe s’vijnë në stadium. Pastaj, kushtet jo të mira në stadiume, plus dhe ftohtë ka qenë, njeriu më pas zgjedh ta shohë në “SuperSport”. Nëse dëgjon edhe parashikuesit që bëjnë të vetën, atëherë çdo gjë merr fund. Pasi e nxijnë një muaj rresht, pastaj hidhen kundër federatës pse merr vendime për dënime kolektive.

takaj

Ka probleme financiare Skënderbeu në këtë moment?

Së pari, dua të sqaroj se te Skënderbeu ka qenë gjithnjë praktikë që lojtarët i merrnin rrogat me vonesë. Sado të shëndetshme kanë qenë financat e klubit, kjo ka qenë politika jonë dhe nuk i kemi mbetur njeriut borxh asnjëherë, përtej vonesave. Ky vit mund të jetë shumë herë më i rregullt se çdo vit tjetër. Lojtarët e dinë shumë mirë potencialin tonë ekonomik dhe janë të qetë në këtë aspekt. Lekët e Skënderbeut janë të deklaruara, shkoni te Tatimet dhe pyesni.

Cili ka qenë raporti financiar me UEFA-n, është e vërtetë që ju ka mbajtur një pjesë të bonusit që duhet të merrnit për vitin që luajtët në fazën e grupeve të Ligës së Europës?

Kemi pasur një raport normal me UEFA-n. Na kanë mbajtur ato lekë që s’na kanë takuar sipas rregullave të vetë UEFAs, pra, vetëm Fondin e Solidaritetit nuk kemi marrë, duke qenë se luajtëm në grupe. Jemi shlyer totalisht.

Nëse KAS lë në fuqi vendimin e UEFA-s, çfarë do të bëni?

Nuk iki nga Korça. Ata që mendojnë se unë mund të lëviz, kujtojnë se jam lojtar. Por, unë nuk jam futbollist. Unë vazhdoj të investoj dhe nuk besoj se ka ndonjë në këtë moment në Shqipëri një akademi futbolli si ne. Besoj verbërisht te pafajësia, avokatët na kanë dhënë një garanci shumë të madhe. Dënimi është tendencioz, një sajim.

Cilat janë raportet tuaja me bashkinë, që ka edhe 25% të aksioneve të klubit?

Raporte shumë të mira. Nuk kemi pasur kurrë probleme me bashkinë, vetëm marrëdhënie korrekte.

takaj

Tefik Osmani deklaroi se ndihet i tradhtuar nga ju për atë që ka ndodhur në verë. Keni një përgjigje për kapitenin e Teutës?

Është një keqkuptim, sepse Osmanin e respektoj shumë dhe e dua fort. Na mungon shumë, por thjesht ka qenë keqkuptim. Ai ka ikur nga Skënderbeu sepse ndonjëherë bëhet më i mirë se duhet. Osmani mori përsipër të tjerët, nuk merrej me veten e tij. Është i keqi i vetes dhe i miri i të tjerëve. Megjithatë, ai ka kontributin e vetë të pamohueshëm te Skënderbeu. Unë jam munduar t’i respektoj të gjithë kush ka qenë pjesë e ekipit, qoftë edhe për 6 muaj. Ua njohim meritat të gjithëve. PanoramaSport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: