Skënder Gega merr drejtimin e Skënderbeut. Vetë presidenti Ardjan Takaj prezantoi trajnerin e mirënjohur, duke e falënderuar Gegën që merr këtë detyrë në një periudhë të vështirë për ekipin korçar, teksa ndodhet në vendin e fundit në Superligë.

Zhvillimet e fundit i dini të gjithë. E pranuam vendimin e profesor Memellit, e falënderojmë për punën dhe energjinë që dha te Skënderbeu. Dua të falënderoj profesor Gegën për vendimin për të na ndihmuar në këtë moment të vështirë.

Falë edhe miqësisë tonë të vjetër, me Gegën besoj se do të bëjmë një punë të mirë për të shpëtuar këtë sezon të vështirë. Afatet i kemi edhe më të gjatë. Nëse shpëtojmë, do të ulemi të diskutojmë me Gegën edhe për të ardhmen e Skënderbeut.”

Numri një i klubit korçar shpreson ende që dënimi 10 vjeçar për Skënderbeun për të mos luajtur në Evropë të ulet, për të rikthyer më pas ekipin që gjithë tifozët korçarë e dëshirojnë.

Akoma shpresojmë për një vendim të UEFA-s për të na ulur, për të na falur vendimin. Është vendim shumë i vështirë, sado klub i pasur të jesh. Motivimi për të gjithë është shumë i vështirë pa Europë, motivimi është gjëja kryesore në futboll.

Shpresa na mban për atë lloj Skënderbeu. Kishim pritshmëri më të mëdha për për këtë sezon. Projekti ishte 2-vjeçar, ka lojtarë që kanë vite te Skënderbeu, por as fatin nuk e kemi patur me vetë këtë sezon”, deklaroi kreu i klubit korçar.

Ndërsa trajneri Skënder Gega tha se është një sfidë, por shprehet besimplotë që Skënderbeu do të mbijetojë, pasi ka elementë dhe grup të mirë. Skënderbeu është ekipi i tretë në Superiore që drejton Gega, teksa më parë ka qenë trajner i Partizanit dhe Kukësit.

Ne jemi miq me presidentin, dashamirësia nuk ka munguar as kur kemi qenë kundërshtarë. Ky është një profesion që e dashuroj, nuk është e thënë të jesh vetëm tek ekipet e vendeve të para. E kam për nder dhe ndihem i respektuar që do të jem në krye të ekipit të një qyteti si Korça. Jam optimist, ekipi është i mirë, është i mbushur me djem të rinj.

Do i marrim me qetësi problemet, e rëndësishme dhe thelbësore është t’i besojmë njëri-tjetrit.  Jam munduar të shmang presionet kudo ku kam shkuar. Unë e shoh Skënderbeun si pretendent për të bërë hapa gradualisht, unë besoj. Të shohim ndeshjen më të afërt, që është dita e diel.

Organika e ekipit? Më pëlqen që kampionati ka kaq shumë rivalitet. Kjo është sfida ime, kam ardhur për presidentin Takaj dhe Skënderbeun në një moment të vështirë. Kam parë grupin, ekipi është i mirë, por të besojmë te njëri-tjetri. Pa optimizëm nuk vazhdohet përpara në futboll.

Kam qenë suport për Memellin, ka bërë punë të mirë. Fati i ka munguar. Skënderbeu ka potencial për të dhënë më tepër, sepse janë djem të rinj. Lojtarët të kenë këmbët, mendjen dhe zemrën. Asgjë nuk u mungon.

Laçi? Skënderbeu ka edhe traditë, ka fituar tituj, pse jo të mos vazhdojmë në të njëjtën rrugë. Ndeshja me Laçin është shumë e vështirë, ata janë ndër ekipet më të mira të Superiores. I respektojmë shumë, por do tentojmë të bëjmë më të mirën tonë”, përfundoi trajneri i ri i Skënderbeut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb