PANAMA- Presidentët amerikan, Barak Obama dhe ai kubanez Raul Kastro u gjendën sot, në kuadër të samitit të Amerikave, në Panama për një takim historik që do të shënojë një fazë vendimtare në afrimin mes dy vendeve.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, dy drejtuesit do të zhvillojnë një bisedë në kuadër të takimeve të 35 presidentëve. Bëhet fjalë për shkëmbimin e parë mes presidentëve të dy vendeve që prej vitit 1956, rreth pesë vjet para shkëputjes së marrëdhënieve diplomatike mes SHBA-së dhe Kubës.

Dje, samiti u hap me një shtrëngim duarsh mes dy krerëve, të cilët shkëmbyen gjithashtu disa fjalë.

Përballja e shumëpritur e ditës së sotme do të shënojë një kthesë në afrimin e njoftuar pas 18 muajve përpjekjesh të kryera në fshehtësi të plotë, që kanë mundësuar kthimin e faqes të një gjysmëshekulli konflikt.

Në axhendën e diskutimeve të tyre do të bëjë pjesë sigurisht rivendosja emarrëdhënieve të tyre diplomatike, që po vonojnë të konkretizohen pavarësisht tre raundeve diskutimesh të nivelit të lartë në Havanë dhe Uashington.

Pengesa kryesore për rihapjen e ambasadave për momentin ka të bëjë me faktin e pranisë së Kubës në listën amerikane të shteteve që mbështesin terrorizmin, që e privon Kubën nga një pjesë e ndihmës ndërkombëtare.

Shtëpia e Bardhë theksoi se Obama nuk ishte akoma në fazën për të marrë një vendim lidhur me këtë çështje, por gjithashtu nuk përjashtoi një njoftim në Panama.

“Heqja potenciale e Kubës nga lista e zezë do të ilustrojë kalimin e marrëdhënieve SHBA-Kubë në një plan më pragmatik (…) Ky është një hap domethënës (…) por procesi global do të jetë gjithmonë i limituar nga embargo amerikane”, nënvizoi Diego Moya-Ocampos, analist në institutin amerikan IHS.

Dekretuar në shkurt të vitit 1962 dhe riforcuar ashpër nga ligji Helms-Burton në vitin 1996, embargo totale mbi transaksionet ekonomike dhe financiare me Kubën është dënuar rregullisht nga Havana si një pengesë për zhvillimin e ishullit, me dëme që arrijnë vlerën e 116 miliardë dollarëve.

Që prej njoftimit historik të afrimit me Kubën, Barack Obama kërkoi në Kongres, kontrolluar nga republikanët të punojnë për heqjen e embargos. Por dy dhomat për momentin janë shumë të ndara lidhur me këtë çështje.

Në pritje të një vendimi nga Kongresi, Obama ka marrë një sërë masash duke lehtësuar embargon, brenda limitit të kompetencave të tij presidenciale, pro ato janë gjykuar të pamjaftueshme nga Havana.

Sot, presidentët do të zhvillojnë disa takime pune në seancë plenare me dyer të mbyllura para mbylljes zyrtare të parashikuar në fund të pasdites.

Që prej disa javëve, Obama ka qenë shënjestët e kritikave të shumta nga vendet latino-amerikabe si pasojë e vendimit të fundit për të nënshkruar një dekret që e cilëson Venezuelën, partnerin kryesor ekonomik të Kubës, si kërcënim për sigurinë e brendshme të SHBA-së.

“Do të ishte diçka e mirë nëse Obama, që përfaqëson një vend kaq të rëndësishëm në Amerikë dhe në botë, të bëjë propozime që do të na bashkonin dhe të na kthenin në një Amerikë të paqes”, theksoi dje presidenti socialist bolivian, Evo Morales për stacionin televiziv panamerikan venezuelian ”Telesur”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: