Partia Demokratike ka zhvilluar një takim me studitues, poetë shkrimtarë të Elbasanit në Teatrin e Kalasë në këtë qytet.

Në takim është vlerësuar maksimalisht figura e Flutura Açkës që kryeson edhe listën e qarkut të Elbasanit për PD.

Bardhi ka thënë se fushata e PD bazohet tek qytetaria, dhe Flutura Açka është garancia se Elbasani do të vijojë të mbetet qytet i dijes.

“Unë jam shumë krenar që kemi në ekipin tonë, Fluturën, që përfaqëson vlerat reale të Elbasanit. Elbasani nuk është shquar kurrë si qytet i krimit, por ka qënë qytet i dijes. Elbasani nuk është shquar kurrë si qytet i frikës, por është shquar si qytet i letrave dhe i poezive. Elbasani do të vazhojë të mbetet qytet i dijes dhe për këtë garanci është Flutura, është ekipi i Partisë Demokratike, jemi të gjithë ne që këtë fushatë e kemi bazuar pikërisht te qytetaria. Në nuk e kemi bazuar fushatën dhe nuk do ta bazojmë deri në fund tek të fortët, te bandat, te ata që e mendojnë pushtetin si mundësi për t’u pasuruar për vete, por do ta bazojmë te njerëzit e thjeshtë, te njerëzit me vlera, te njerëzit me parime. Unë jam vërtet shumë i kënaqur që jam pjesë e këtij takimi. Sigurisht është një nga ato takimet ku unë duhet të jem një dëgjues i mirë dhe të mos flas shumë, prandaj do ua lë mikrofonin ju duke ju kushtuar shumë vëmendje, dhe jam i sigurt që do dal nga ky takim me më shumë ide dhe me më shumë vullnet për të çuar përpara ato vlera që përfaqëson qytetaria e Elbasanit”, – u shpreh Bardhi.

Nga ana tjetër Besnik Mustafaj paralajmëron se Açka nuk do të shkojë për turizëm në parlament, pasi është grua luftarake dhe intelektuale.

“Më ka rënë të bëj fushata për vete, dhe për kolegë të tjerë të Partisë Demokratike, por është hera e parë që unë them dy fjalë diku për një njeri të letrave, për një njeri të kulturës, më shumë sesa të tjerë, sepse për shumë njerëz të kulturës kam folur, por të kulturës së mirëfilltë si Flutura, nuk më ka qëlluar asnjëherë rasti. E prita me shumë kënaqësi ftesën që më bënë disa kolegë që t’i bashkohem këtij grupi shkrimtarësh për të ardhur këtu. Do të kisha shumë pasur shumë qef të isha votues këtu biles, dhe t’i jepja votën Flutura Açkës. Është intelektuale dhe luftarake, se zakonisht për gratë harrohet kjo, por është shumë e rëndësishme në politikë. Unë e paralajmëroj se nuk do të shkojë për turizëm në palament, do t’i marrë kohën, do t’i lodhë nervat, do t’i kërkojë të përmbajë inatin, të gjitha këto gjëra që i kam kaluar para asaj dhe si veteran i asaj salle e paralajmëroj se do të ketë momente që do t’i thotë vetës: çfarë dua unë këtu? Do të ishte shumë më mirë nëse do të isha duke lexuar një libër ose akoma më mirë duke shkruar një libër, por jo. Do t’i bëjë këtë pyetje vetes në bilanc sepse unë jam i bindur se Flutura do ta përfaqësojë me shumë dinjitet Elbasanin, do të jetë sigurisht një zëdhënëse e problematikave që ka Elbasani, por do të jetë edhe një zëdhënëse e problemeve që ka inteligjenca shqiptare, që kanë njerëzit e kulturës dhe që ka bota e librit. Unë i kam shkruar një mesazh në telefon kur doli emri i saj, ku e kam përgëzuar për vendimin që mori. Unë besoj se Flutura sakrifikon për Elbasanin dhe për Partinë Demokratike duke pranuar këtë ofertë politike. Faleminderit Flutura, ta them si demokrat”, – tha Mustafaj.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb