TIRANË

Fatos Lubonja ka folur në “Opinion” në News24 dhe për votimin e grupit të Alibeajt të ndryshimit në ligjin për hapjen e dosjeve të sjellë nga maxhoranca në parlament.

Lubonja tha se takimet me palën tjetër në PD ishin për fasada dhe pas votimit të tyre nuk ka kuptim as që të bashkohesh me ta.

Sipas tij, ata kanë hallin të heqin Berishën dhe kjo është më e rëndësishme për ta se sa të shpëtojnë Shqipërinë.

“Problemet që ka PD janë me pjesën tjetër që duhet të ishte bashkuar, që ne prisnim që ata të bënin një bashkim. Siç e gjykoj unë, me atë votimin e fundit në parlament, ishte qartasi që këta…bile nuk ka kuptim që të bashkohesh me ata. Ata nuk kanë pasur ndërmend të bashkoheshin, e kanë me hile me njëri-tjetrin. Për mua me atë votim që bënë, që ishte antiopozitar si votim, as që e kanë fare idenë e nevojës për t’u bashkuar të gjithë për një qëllim më të madh.

Ato takime ishin për të bërë fasada, gjoja sikur ne ja po përpiqemi, por e ka fajin Berisha. S’po them se Berisha nuk ka përgjegjësitë e veta që është prishur me ata dhe ai ka përgjegjësitë e veta. Po është një lojë bëjnë sikur, por thellë-thellë ata presin që të marrin partinë, të heqin Berishën dhe kjo është më e rëndësishme se sa të shpëtojnë Shqipërinë. Ata kanë hallin të ikë Berisha, të marrin ato zyrat atje dhe të vazhdojnë të jenë në politikë, pavarësisht se me ndihmë amerikane, ndërkohë që janë komplet jashtë elektoratit. Dëmin e bëjnë shumë të madh si opozitë e përçarë.

Për mua ka mbaruar loja. Për mua e morën mesazhin të dy palët në votimin atje”, tha Lubonja.

Ai deklaroi më tej se ata duhet të ishin bashkë në atë votim, sepse ishte qartazi një ligj ad hoc anti opozitar për të nxjerrë Ilir Metën nga loja.

“Janë aq të paaftë politikisht sa nuk mendojnë që nesër dhe ata vetë mund të nxirren me një ligj të tillë ad hoc, mund t’iu nxirret lideri nga e drejta për të qenë lider, apo deputet etj.

Nesër, pasnesër sikur të mendojmë se Lulzim Basha të bëhet rrezik për Ramën, do i dalë një ligj që ka marrë fonde ruse dhe kush ka marrë fonde nuk mund të jetë lider i opozitës.

Ai gjer dje mbante Gramoz Ruçin në parlament, e nderonte. Qëllimi është përçarja e opozitës, gjetja e çdo motivi për t’i nxjerrë jashtë loje, duke përdorur intriga politike banale, por ama i mbështet me arrogancë se ka gjithë institucionet nën kontroll”, tha ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: