Kreu i PD, Lulzim Basha gjatë takimeve me fermerët në Devoll është zotuar se bujqësinë do e bëjë prioritet të planit qeverisës pasi në këtë sektor jeton gjysma e popullsisë së Shqipërisë.

Sipas Bashës, dy gjërat kryesore që do të jenë për t’u përmirësuar në bujqësi janë infrastruktura dhe subvencionet, shtuar edhe heqjen e taksës së qarkullimit 240 lekë për naftën.

Por Basha u kërkoi vetëm një gjë fermerëve, që të jenë sa më efiçientë me prodhime që i thith tregu i brendshëm dhe që qeveria mund t’i stimulojë për tregun e jashtëm.

 

 

 

STATUSI NGA LULZIM BASHA

Fermerët e Devollit po vuajnë pasojat shkatërrimtare të krizës së thellë ekonomike.

Devolli është një zonë me potencial të jashtëzakonshëm në fushën e bujqësisë, por sot fermerët e kësaj zone janë në kufijtë e mbijetesës.

Prodhimet e tyre konkurrohen në mënyrë të pandershme nga prodhimet e subvencionuara të fermerëve të rajonit dhe Europës.

Nafta që përdorin fermerët shqiptarë është më e shtrenjta në Europë. Pesticidet i blejnë me dyfishin e çmimit krahasuar me fermerët në Greqi.

Në 7 vite qeverisjeje, RAMAVIRUSI nuk ka ofruar asnjë lehtësi për fermerët, madje politikat e tij kanë nxitur monopolet, konkurrencën e pandershme, duke favorizuar një grusht përfituesish në kurriz të shumicës.

Qeveria i jep paratë e shqiptarëve për tendera e PPP korruptive, ndërsa fermerët hedhin në kanal mundin dhe djersën e tyre.

Për ne, bujqësia është prioritet. Sepse kjo do të rrisë mirëqenien e gjysmës së popullsisë që jeton me bujqësinë e po kështu ndikon dhe te konsumatori me produkte cilësore dhe çmime të përballueshme.

Ne do të investojmë 50 milionë euro për infrastrukturën rurale. Të paktën 100 milionë euro, do t’i shkojnë fermerëve shqiptarë në formë subvencionesh direkte për koston e prodhimit.

Do ta heqim taksën “Rama” prej 240 lekësh për litër karburanti, ç’ka do të sjellë ulje të çmimit për të gjithë konsumatorët.

Këto politika të programit tonë nuk janë mrekullira. Ato sot përdoren gjerësisht nga fqinjët tanë si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, politikat e së cilave ndihmojnë ekonomitë dhe fermerët e tyre. Shqipëria do të jetë po kështu një vend normal me një qeveri normale, në krah të punës dhe njerëzve punëtorë të këtij vendi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb