TIRANE- Kultivimi i kanabisit në vend dhe deklaratat e kreut të Shtetit, Bujar Nishani se do të mbledhë Këshillin e Sigurisë Kombëtare pikërisht për këtë çështje, kanë nxitur reagimin e ambasadorëve të vendeve të BE-së, të cilët kanë kërkuar një takim me kryeministrin Edi Rama.

Siç raporton gazetarja Marsela Karapanço, takimi zhvillohet në Kryeministri, atje ku rreth orës 17:00 është parë të hyjë ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin. Në takim pritet të jetë edhe ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, si dhe ambasadorë të tjerë të akredituar në vend.

Takimi i diplomatëve me Ramën do të fokusohet tek kanabisi dhe shqetësimi për kultivimin e tij. Pritet që kryeministri të informojë diplomatët e akredituar në vendin tonë për situatën ku ndodhet vendi, ndërsa parashikohet që diskutimet mes tyre të zgjasin më shumë se një orë.

Për takimin kryeministri Rama ka bërë edhe një status në Twitter ku shprehet: “Takim i dobishëm me miq, partnerë, përfaqësues të huaj në vend, për suksesin e represionit policor dhe sfidën e parandalimit të kanabisit”.

Pas deklaratës së presidentit Bujar Nishani se do të mblidhte Këshillin e Sigurisë Kombëtare për çështjen e kultivimit të kanabisit, kryeministri Rama zgjodhi ta ironizojë duke e ‘këshilluar’ që të mblidhte Këshillin Kombëtar te PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit.

“Të mblidhet Këshilli i Sigurisë Kombëtare për kanabisin?! Jo, duhet të mblidhet Këshilli Kombëtar i PD-së dhe redaksitë e gazetave e të portaleve të Shqupit. Bashkëngjitur letra e sotme e Komisionerit Europian për Punët e Brendshme, si kontributi ynë dashamirës për mbarëvajtjen e mbledhjes. Suksese”, shkruan Rama.

Po dje për situatën ka pasur edhe një letër të komisionerit europian për Punët e Brendshme, Avramopulos i cili vlerësonte luftën kundër drogës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb