Partia Demokratike akuzon ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim se ka shkelmuar vendimin e gjykatës dhe ka injoruar vullnetin e zgjedhësve pas takimit me Enkelejd Alibeaj.
PD tashmë e përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit ka reaguar me një deklaratë pas takimit të ambasadores Kim me Alibeajn, ku e akuzon se ka shkelur në mënyrë të përsëritur Konventën e Vjenës si diplomate.

Sipas deklaratës, “Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët”.

DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE
Pas një heshtje të zgjatur e të kuptueshme nga zgjedhjet e 6 Marsit, ambasadorja Yuri Kim injoroi themelin e demokracisë së shtetit të saj “We, the People”.
Yuri Kim hyri sot në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike.

Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vjenës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars.

Yuri Kim vërtetoi sot atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët.

Për fat te mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb