Para disa ditësh kryeministri Rama organizoi një takim me përfaqësues të shoqatave të biznesit në Shqipëri në kulmin e debatit për sjellje arrogante të qeverisë me sipërmarrjen. E ndërsa pritej që përfaqësuesit e shoqatave të pranishëm në takim të shprehnin shqetësimet e shumta të biznesit shqiptar në raport me qeverinë dhe tregun, pati vetëm një manifestim servilosjeje ndaj kryeministrit.

Nisur nga fakti që këto shoqata nuk përfaqësojnë më zërin dhe shqetësimin e vërtetë të biznesit shqiptar, një grup sipërmarrësish shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Diaspora kanë ndërmarrë një iniciativë për të krijuar një shoqatë mbarëkombëtare të biznesit.

Kjo shoqatë do të përfaqësojë shqetësimet e vërteta të biznesit shqiptar në rajon, por edhe të biznesmenëve të diasporës që duan të investojnë në Shqipëri. Në kushtet kur drejtuesit e dhomave të tregtisë dhe shoqatave aktuale të biznesit, i kanë vënë këto organizma në funksion të mbrojtjes të interesave të bizneseve të tyre personale, iniciatorët e shoqatës mbarëkombëtare të biznesit e konsiderojnë imperative që zëri i sipërmarrjeve shqiptare duhet të përfaqësohet në mënyrë sa më të plotë si përballë qeverisë ashtu edhe publikut.

Për këtë arsye, në krye të kësaj shoqate nuk do të jetë një prej biznesmenëve ideues, por një personalitet i pavarur nga fusha e ekonomisë. Biznesi shqiptar ka sot nevojë më shumë se kurrë për një institucion që krijojë partneritetin e duhur si me qeverinë ashtu edhe me faktorët e tjerë të shoqërisë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: