Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla takoi sot ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Duncan Norman. Balla tha pas takimit se të gjithë ambasadorët janë të mirëpritur në Elbasan dhe se bie tërësisht dakord me konstatimin që beteja elektorale në Elbasan është një betejë programesh, ekipesh, lidershipi.

“Jam shumë i sigurt që populli i Elbasanit e i të gjithë qarkut do dëshmojë një kulturë të lartë demokratike. Apeli im është për një pjesëmarrje sa më të lartë në zgjedhje të të gjithë qytetarëve dhe banorëve të këtij qarku tepër të rëndësishëm”, tha Balla.

Ai e përshkroi bisedën me ambasadorin Norman si miqësore duke zbardhur disa nga diskutimet. “Kemi rënë dakord që është e rëndësishme që KQZ të përmbyllë sa më shpejt çështjen e fletës së votimit në mënyrë që ne të kemi mundësi që t’ju shpjegojmë qytetarëve, votuesve mënyrën e votimit. Mënyra më e thjeshtë për të pasur një fletë votimi është një fletë votimi e thjeshtë ku edhe në modelet e shumë vendeve të tjera, lehtëson edhe procesin e votimit, por më i lehtësishëm se kaq edhe procesin e numërimit”, tha Balla.

Sipas tij, nuk ka arsye për vonesa. “Prandaj unë nuk e di dhe nuk gjej dot arsye se përse vjen kjo vonesë, ku një vend i ri demokratik si Kosova, na ka dhënë një leksion shumë të mirë qoftë me fletën e votimit dhe qoftë me procesin  e numërimit. Prandaj, i lutem përfaqësuesve të PD-së në institucionet e KQZ-së së bashku me ambasadorin ramë dakord që partitë politike duhet të kishin hequr duart njëherë e përgjithmonë nga procesi i administrimit por marrëveshja e 5 qershorit ishte një marrëveshje që nuk varej nga ne. Ne kishim të gjithë dëshirën që t’i ofronim Partisë Demokratike që ti plotësonim çdo dëshirë por të mos shkojmë deri këtu sa të zëvendësojmë fletët e votimit me faqe gazetash”, deklaroi ai.

A la porosi ambasadori për ju pasi dimë që pas pak do të ketë edhe një takim me drejtuesin politik të PD-së, zotin Bardhi?

Unë me të gjithë ambasadorët takohem shpesh dhe të gjitha bisedat janë biseda miqësore, konsultative dhe asnjëherë nuk marr porosi. E vetmja gjë që dua të them është që Partia Socialiste e Shqipërisë dhe strukturat e saj në Elbasan po punojnë çdo ditë për zgjedhje normale, demokratike. Për ne është shumë i rëndësishëm edhe standardi i plotë i këtyre zgjedhjeve sepse ne presim me të mbaruar në 25 prill këto zgjedhje, të vijojmë me konferencën e parë ndërqeveritare. Kemi shumë punë për të bërë, por duhet të mbyllim njëherë 25 prillin se kohë për pushim nuk kemi, kështu që në këtë kuptim rrini të qetë dhe apeli im është ndaj Partisë Demokratike të sillet e përgjegjshme. Kam parë që edhe në zonat tona të Elbasanit mbledhin nja 50 vetë nga Tirana dhe nga Elbasani dhe na i çojnë nëpër fshatra pa maska dhe pa pikë përgjegjshmërie duke në shkaktuar një përhapje të papërgjegjshme të pandemisë në zona që deri më sot pandemia nuk ka shkuar por për fat të keq po e çon Luli me disa lulashë të tjerë të cilët nuk e kuptojnë që nuk ka gjë më të rëndësishme se jeta e njerëzve.

Zoti Balla, PD sapo ka dalë me një deklaratë të fundit ku ka hedhur akuza për PS që nuk ka respektuar votën e emigrantëve shqiptarë dhe shprehet se 1 milion shqiptarë të diasporës janë të zhgënjyer pasi nuk kanë ushtruar të drejtën e votës. Keni ju ndonjë informatë?

Po mirë, a ka paturpësi më të madhe, a ka gënjeshtër më të madhe? Unë e kuptoj që Lulzim Basha siç thoshte Jozefina Topalli gënjen edhe kur e pyet se sa është ora por si ka mundësi që ne e kemi dëshmuar me vendim në Kuvendin e Shqipërisë për të mundësuar votën e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit. E kemi dëshmuar me të gjitha vendimet e ndërmarra nga përfaqësuesit tanë në KQZ për regjistrimin e shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit në funksion të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe Partia Demokratike ka bërë gjithçka ka mundur për të penguar vendimin e Autoritetit Rregullator brenda organigramës së KQZ-së për ta penguar këtë vendim dhe unë i bëj thirrje komisionarit Celibashi dhe strukturave të tjera të KQZ-së të zbardhin të gjithë pengimet e përfaqësuesve të Partisë Demokratike.

Në janar kërkuan një muaj kohë për t’u shprehur. Morën projekt vendimin dhe kërkuan një muaj kohë, me rritjen e presionit nga ana jonë u rikthyen pas një muaji dhe thanë duam një javë kohë. Përsëri nuk kthyen përgjigje, me rritjen e presionit tonë dhe të shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit përsëri kërkuan edhe dy ditë kohë dhe pastaj nuk u kthyen më, për këtë projektvendim. Kështu që përgjegjësia ka një emër, ajo është PD-LSI, të cilët i frikësohen votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë territorit por unë shpresoj që shqiptarë jashtë territorit që kanë mundësi të vijnë në Shqipëri le të vijnë dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit por kjo që më dëgjojnë veshët nga ajo që po më thoni ju se nuk para i dëgjoj deklaratat e Partisë Demokratike sepse është një humbje kohe dhe është një tallje e pafundme me intelektin e shqiptarëve është e papranueshme. Megjithatë, mbani maskat se kjo është e rëndësishme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb