Kreu i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi mëngjesin e sotëm një takim me ambasadorin e BE Luigi Soreca. Në një prononcim për mediat në selinë e PD-së në përfundim të takimit, Basha u shpreh se opozita vijon t’i qëndrojë kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Ai shtoi se kriza politike është krijuar nga qeveria dhe mentaliteti i saj KÇK.

‘’Gjithë beteja jonë është që zgjedhjet e parakohshme të behen sa më shpejt. Që të zgjedhin parlamentin që duan, bashkinë që duan, për të ndalur gremisjen e vendit. Për t’i dhënë shqiptarëve një qeverisje që i jep mundësi ekonomike dhe punësim. Kriza politike është krijuar nga mentaliteti i KÇK-së që është qeveria që vepron si e tillë. Nuk kanë ndryshuar ndonjëherë qëndrimet tona për të bërë një lajm të përditshëm. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në një ditë me ato lokale nuk janë dëshira të Lulzim Bashës dhe PD, por është detyrim për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza.

Beteja është t’i japim shqiptarëve mundësinë të zgjedhin nëpërmjet zgjedhjeve të lira. Për ne reforma administrative është e dështuar. Nuk ka prodhuar ato që u premtuan por më pak shërbime, taksa më të larta, militantë të punësuar. Në shërbim të zgjidhjes së krizës duhet të shihen edhe këto.
Po bëjmë çdo përpjekje s’do të ketë asnjë pengesë por një angazhim total për të përfunduar Reformën Zgjedhore në 15 mars.’’- tha Basha.

Prononcimi i plotë:

Pyetje: Cili ishte fokusi i takimit me ambasadorin Soreca?

Lulzim Basha: Kriza politike dhe integrimi europian i vendit

Pyetje: Për reformën zgjedhore diskutuat?

Lulzim Basha: Gjerësisht

Pyetje: Po për zgjedhjet e parakohshme?

Lulzim Basha: Gjithmonë objektiv kryesor i opozitës.

Pyetje: Mazhoranca thotë se zgjedhjet bëhen në 2021?

Lulzim Basha: Pse çfarë pret të thotë mazhoranca!? Çfarë pret të thotë KÇK-ja!?

Pyetje: Kur do të kemi zgjedhje të parakohshme zoti Basha?

Lulzim Basha: Gjithë beteja jonë është që zgjedhjet e parakohshme të bëhen sa më shpejt dhe shqiptarëve tu rikthehet mundësia të zgjedhin me votë institucionet e tyre, duke filluar me parlamentin, me bashkitë e vendit. Kjo është rruga e vetme për të ndalur krizën politike, për të ndalur gremisjen e vendit. Për ti dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverisjen e tyre, një qeverisje që tju shërbejë dhe t’ju ofrojë më shumë mundësi ekonomike, punësimi, që të rinjtë të rrinë e të ndërtojnë jetën e tyre këtu e jo të largohen. Gjithçka që po shohim sot në këtë vend, bjerrja e shpresës, kriza ekonomike, është produkt i krizës politike, të cilës në fakt emrin ia ka vënë vet i pari qeverisë. Kriza politike është krijuar pikërisht nga mentaliteti i KÇK-së. Sepse KÇK-ja në Shqipëri është qeveria, është kryeministri dhe veglat e tij në pushtet.

Pyetje: Zoti Basha a pranon PD zgjedhje vendore pa zgjedhje parlamentare të parakohshme?

Lulzim Basha: Nuk ka ndryshuar ndonjë gjë në qëndrimet tona, përveç nevojës për lajmin e përditshëm. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare  në një ditë me zgjedhjet vendore kushtetuese, nuk janë çështje dëshire. Ju e patë raportin e ODIHR? Ju e shikoni situatën në bashkitë e vendit! I shikoni kryebashkiakët me rekorde kriminale?! Falimentimin total të pushtetit vendor?! Dorëzimin total të shtetit para krimit, para padrejtësisë, papunësisë, krizën ekonomike?! Pra, nuk është lista e dëshirave të Lulzim Bashës apo të Partisë Demokratike. Është thirrja e çdo shqiptari që ta nxjerrim vendin nga kjo krizë, që të bëhemi bashkë për ta nxjerrë vendin nga kjo krizë. Dhe kjo kalon vetëm duke i dhënë mundësinë shqiptarëve të zgjedhin qeverinë, parlamentin dhe kryebashkiakët që duan ata të zgjedhin, në një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Kjo është beteja. Pa u zgjidhur kjo, vendi nuk do të bëjë dot përpara. Ndaj gjithë fokusi ynë është që edhe procesin e integrimit europian të vendit, edhe procesin e zgjidhjes së krizës politike ashtu siç i ka parashikuar Bundestagu gjerman, ti kalojmë mes Reformës zgjedhore dhe zbatimit të kësaj reforme zgjedhore, që do të thotë: Zgjedhje të lira e të ndershme.

Pyetje: Zoti Basha, a do të shkojë PD në zgjedhje lokale e parlamentare të parakohshme pa u ribërë më parë reforma territoriale?

Lulzim Basha: Për ne, reforma administrative është e dështuar. Për qytetarët shqiptarë mendoj se është e qartë se nuk ka prodhuar ato që u premtuan, por ka prodhuar të kundërtën. Më shumë korrupsion, më pak shërbime, taksa më të larta, ushtri militantësh të punësuar në vende të investimeve publike, prandaj, padyshim ka ardhur koha që si pjesë e zgjidhjes së plotë të krizës, të rishikohet edhe reforma administrative dhe decentralizimi i pushtetit vendor.

Pyetje: Keni besim se do të mbyllet reforma brenda 15 marsit?

Lulzim Basha: Ne po bëjmë çdo përpjekje dhe nga ana jonë nuk do të ketë asnjë pengesë, përkundrazi ka një angazhim total që reforma të përfundojë me 15 mars. Sigurisht nuk varet vetëm nga ne. Ka një pjesë po kaq të rëndësishme, madje më të rëndësishme ka dhe pala tjetër e cila sot ka edhe pushtetin.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb