Gjatë takimit me gratë në Tiranë, kryedemokrati Lulzim Basha tha se pesha e keqqeverisjes nuk ka rënduar mbi askënd më shumë se mbi supet e nënave dhe grave shqiptare.

Sipas kryedemokratit, ne jemi një shoqëri që kemi humbur ekuilibrin dhe një shoqëri që ka humbur ekuilibrin nuk mund të ecë përpara.

“Të dashura zonja dhe zonjusha, të dashura nëna, bashkëshorte, vajza dhe motra. Gjatë këtyre javëve kam patur rastin të takoj shumë prej jush anembanë vendit dhe ajo që kam dëgjuar nuk ndryshon shumë nga çfarë një grua në Sarandë, një bashkëshorte në Elbasan, një sipërmarrëse në Tiranë apo në Durrës, një e papunë në Lezhë, një pedagoge në Shkodër apo një fermerë në Kukës apo në Elbasan më thotë. Jemi të braktisura e të harruara, jemi të lëna pas dore këto tetë vite.

Pesha e keqqeverisjes dhe e dështimeve nuk ka rënduar mbi askënd sesa mbi supet e nënave dhe grave shqiptare. Një shoqëri e cila përbëhet nga burra dhe gra, ku gjysma e shoqërisë janë gratë të cilat mbajnë dyfishin e peshës, qoftë kjo përmes punës kur janë të punësuara dhe pastaj punës së dyfishtë për të rritur fëmijët. Dhe kur janë të papunësuara dhe vuajnë dyfish sfidën , dhimbjen, vuajtjen e sigurisë se bukës së gojës për familjen, pra gruaja shqiptare mban dyfishin e peshës dhe ka patur më pak së gjysmë e përkrahjes.

Kjo do të thotë që ne jemi një shoqëri që kemi humbur ekuilibrin dhe një shoqëri që ka humbur ekuilibrin nuk mund të ecë përpara. Tetë vite dështime e në veçanti në rrafshin ekonomik dhe janë rënduar më shumë sesa gratë, bashkëshortet, nënat tona. Pasojat e papunësisë kë kanë rënduar më shumë sesa nënat tona të cilat i shohin me sytë aeroportet, portet dhe stacionet e autobusëve për tu larguar nga vatrat e tyre. Të cilat vuajnë pamundësinë për të siguruar ushqimin bazik shpeshherë për fëmijët e tyre, apo për të siguruar nevoja at e tjera shkollimin, me arsimimin. Kush më shumë e ka vuajtur këto tetë vite dështimi përdorje si fasadë, si numër për të mbuluar dështimet e burrit? Kush nga ju nuk e di, që një nga problemet kronike të cilat kërkojnë zgjidhje të menjëhershme, siç është dhuna në familje, i ka rrënjët tek varfëria, i ka rrënjët tek dështimi ekonomik, i ka rrënjët tek papunësia që sjell pastaj të gjitha problemet e tjera sociale. 8 vite të mbushura me dështime, nuk kanë rënduar askënd, më shumë se sa gratë dhe vajzat e Shqipërisë. Ndaj, vij këtu me zemrën plot, me gëzimin dhe besimin që më falni ju”, tha Basha.

Më tej kreu i PD, vijoi me një mesazh të gjatë, ku sqaroi edhe njëherë planin që Partia Demokratike ka për gratë e nënat shqiptare.

Fjala e Bashës:

Me pritjen, me fjalët e ngrohta por edhe me supet e rënduara nga përgjegjësia e asaj që do të thotë, puna e madhe që na pret pas datës 25, pas ndryshimit për të cilin ftoj dhe pres angazhimin e të gjitha grave të Shqipërisë. Sepse e di, e di që ndryshimi që po vjen ka në ballë gruan shqiptare, zonjat shqiptare, vajzat shqiptare, nënat shqiptare, motrat tona. Kanë pararojë rininë shqiptare dhe kështu duhet të jetë. Sepse ndryshimi për ne, do të thotë në radhë të parë t’i japim fund diskriminimit, abuzimit, keqpërdorimit dhe lënies mënjanë të gruas shqiptare në çdo fushë. Në rrafshin ekonomik do të thotë të krijojmë mundësi reale për punësimin e grave shqiptare të cilat e vuajnë edhe më shumë plagën e papunësisë sesa pjesa tjetër e shoqërisë. Kjo do të thotë që po kështu të sigurojmë që ajo që është në letër, të zbatohet në të vërtetë, të bëjmë barazinë e vërtetë të pagave midis grave dhe burrave për punën e njëjtë. Por kjo fillon nga arsimi dhe kjo do të thotë që mos t’i mohohet asnjë vajze shqiptare mundësia për tu arsimuar, për tu kualifikuar, për të shkuar në universitet për shkak të pamundësisë ekonomike të familjes apo për shkak të paragjykimeve. Jo, ne do të bëjmë gjithçka që çdo e re, çdo vajzë shqiptare që dëshiron të ketë mundësinë të arsimohet plotësisht, të ndjekë arsimin e lartë dhe të jetë e pajisur, e mirë pajisur për tu futur në jetë me të gjitha instrumentet që do t’ja bëjnë të mundur shpalosjen e aftësive apo talenteve të saj, njësoj si vëllezërit e saj.

Dhe pastaj tek përfaqësimi: Përfaqësimi dhe vendimmarrja në institucionet shtetërore dhe në politikë. Është i domosdoshëm vendosja e ekuilibrit në institucione, por jo përmes gruas fasadë. Është e domosdoshme që roli vendimmarrës i gruas në politikë, të jetë real dhe thelbësor. Ky është angazhimi ynë, ky është angazhimi im, ky është angazhimi i Partisë Demokratike dhe për këto unë e di, se shumica dërrmuese e grave shqiptare sot janë të vetëdijesuar, e shoh këtë në çdo lloj takimi, në takime të vogla dhe në takime të mëdha si ky, vetëm me zonja apo bashkë të gjithë, që gratë të sytë e tyre kanë shpresën, kanë besimin, kanë energjinë për ndryshimin e pandalshëm që po vjen. Dhe e di se kjo vjen prej padurimit që kanë shkaktuar këto 8 vite. E di që kjo vjen prej padurimit që ka shkaktuar një dimër i gjatë politikash të gabuara apo politikash të dështuara në çdo fushë në raport me ëndrrat, ambiciet, aspiratat e vajzave dhe grave shqiptare. Por e di po kështu që ju prisni zgjidhje, zgjidhje reale jo me fjalë, zgjidhje të cilat funksionojnë ndaj dhe programi ynë meqë ra fjala në ata qindra ekspertë, të paktën gjysma mos më shumë janë zonja eksperte që kanë dhënë kontributin e tyre në çdo fushë, nga ekonomia te turizmi, nga arsimi dhe shëndetësia te bujqësia, dhe unë jam krenar që një ekip kaq i madh ekspertësh ka një balancë madje do të thosha ka më shumë gra, më shumë zonja eksperte që i kanë dhënë Partisë Demokratike dhe koalicionit tonë programin më seriozë që ka pasur ndonjëherë ndonjë forcë politike në Shqipëri, do të thosha në Ballkan.

Një punë pothuajse dy vjeçare për ti dhënë rrugë zgjidhjeve të sfidave dhe problemeve që e kanë mbajtur Shqipërinë peng për 8 vite me radhë. E pra zonja të nderuara në këtë javë të fundit, në këtë javë që rendim drejt 25 prillit, ditës, mundësisë, shansit të çdo shqiptari për tu bërë pjesë e ndryshimit e në veçanti e grave shqiptare. Nuk dua të zgjatem shumë në aspektet e këtij programi, por ju e dini që programi ynë e ka në fokus familjen shqiptare dhe duke e pasur në fokus familjen domsodoshmërisht  ka zgjidhje reale për shumicën dërrmuese të problemeve me të cilat ballafaqohemi sot, qofshin studente drejt diplomimit që keni pasigurinë se çfarë do të bëni pasi të mbaroni studimet, qofshit sipërmarrëse që jeni si ujët e pakët në një ambient të dominuar nga burrat por jeni heroina të dyfishta, ata janë heronj që kanë rezistuar 8 vjet, nuk e di cilët sipërmarrës në Ballkan apo Europë mund ti rezistonin 8 vjet rritjes së çmimeve të energjisë, të naftës, të rritjes së taksave, monopolizimit, oligarkisë dhe padyshim ju jeni të dyfishta që me kurajon tuaj, me qëndresën tuaj, keni qëndruar e keni bërë të mundur që qindra të tjerë mos të humbin vendin e punës, mos të humbin bukën e gojës për fëmijët e tyre. Kemi zgjidhje reale për fermerët shqiptarë, bashkëshortët e fermerëve shqiptarë regjimi i të cilave nis në orën pesë të mëngjesit e mbaron në dymbëdhjetë të natës. Në një cikël të pafund pune dhe djerse që në vend që të sjellë mirëqenie, siguri për to dhe familjet e tyre i zhyt nga viti në vit në borxh. Kemi zgjidhje reale për çiftet e reja të cilat për ato që me të vërtetë duan të qëndrojnë këtu e të ndërtojnë këtu jetën e tyre me bashkëshortet e tyre, të bëjnë dhe të rrisin fëmijët e tyre dhe të falin gëzim në zemrat e nënave dhe baballarëve të tyre si një shoqëri e cila përbëhet nga të gjithë komponentët e saj, nga fëmijët, nga prindërit dhe nga mosha e tretë.

Pra që mos ta zbrazim Shqipërinë nga të rinjtë dhe të rejat që ti mbajmë këtu dhe tu japim mundësitë për arsimi dhe punësim, që t’ju japim gëzim nënave tona që na kanë rritur me sakrifica. Plani ynë nuk përbëhet nga zgjidhje të thjeshta as nga tullumbace elektorale, as nga premtime që nuk realizohen dot por nga angazhime konkrete të cilat do të godasin në zemër problemin me mundësitë reale që shteti shqiptar sot i ka por që për tetë vite ka vendosur t’jua japë vetëm një grushti njerëzish. Po, ju e keni mundësinë ta ndryshoni këtë realitet, ju e keni mundësinë dhe ne e kemi mundësinë t’ju japim shansin çifteve të reja të planifikojnë një jetë normale në këtë vend dhe do ta nisim me një nga aspektet me elementare të jetës së tyre që është sigurimi i një banese për këtë arsye duke nisur nga viti i parë i qeverisjes, nga muaji ynë i parë i qeverisjes buxheti i rishikuar do të ketë mundësinë për 5 mijë çifte të reja çdo vit t’ju subvencionohet 100% interesi i kredisë kur duan të blejnë një banesë e të themelojnë vatrën, strehën e tyre. 20 mijë çifte të tilla do ta kenë katër viteve të para të qeverisjes tonë fëmijët. Fëmijët e porsalindur në moshën pesë vjeç do të marrin një cek prej 30 mijë lekësh të vjetra në muaj për muaj sepse shpenzimet e një fëmije që vjen në jetë janë shpenzimet të cilat mbi 60% e çifteve te reja nuk i përballojnë dot dhe ne duhet t’ja japim këtë mundësi dy herë. Së pari sepse është detyrë e qeverisë ti ndihmojë njerëzit e në veçanti të ndihmojë rininë, të ardhmen e vendit dhe së dyti sepse ne duhet ta luftojmë këtë plagë të tmerrshme të tkurrjes së Shqipërisë, sa nga emigracioni e sa nga rënia e lindshmërisë por jo vetëm kaq, me planin tonë fëmija shqiptarë, drita e syrit të nënave dhe të baballarëve do të ketë mundësinë të përfitojnë një program të vërtetë subvencionimi të teksteve mësimore dhe nuk do të ketë bijë apo bir shqiptari që do të mbetet pa studiuar për shkak të pamundësive ekonomike të familjes.

Me planin tonë për reformën universitare, ne do të mundësojmë që ata të gjithë të kenë mundësinë të marrin një profesion jo thjeshtë një diplomë. Pa pikë diskutimi angazhimi ynë kryesorë është ekonomia, është hapja e vendeve të punës, është rritja e pagave dhe e mirëqenies, vetëm kjo do të sjell stabilitetin e munguar brenda familjeve tona, vetëm kjo do të rikthejë sigurinë, qetësinë dhe do të bëjë të mundur që familja të luajë një rol të rëndësishëm në stabilitetin e shoqërisë dhe kështu të ecim të gjithë përpara. E pra gra të forta do të thotë familje të forta, familje të orta do të thotë shoqëri e fortë, do të thotë Shqipëri e fortë, ndaj jo rastësisht, por me vetëdijen më të thellë jo vetëm si prind i dy vajzave, por me vetëdijen më të plotë si dikush që i di dhe e ka parë ndryshimin midis shoqërive që dinë ta respektojnë dhe ti japin vendin që i takon grave dhe të tjerave. Ja shikojeni shoqëri të pasura e ka bekuar zoti me shumë pasuri por nuk dinë ti japin grave rolin që ju takon dhe nuk ecin dot përpara dhe të tjera që ua japin këtë rol, prosperojnë, zhvillohen ekonomikisht, krijojnë harmoni, harmoni familje, harmoni në shoqëri dhe ecin përpara në të gjitha kuptimet. Kjo është sfida që kemi përpara, kjo është zgjedhja që kemi përpara, duke filluar që nga 25 prilli, dita më e rëndësishme, për votimet më të rëndësishme ndoshta në këto 30 vite, do të ecim përpara drejt Europës, duke ekuilibruar shoqërinë tonë, që do të thotë duke e fuqizuar gruan shqiptare, jo duke e përdorur si fasadë apo për numër, apo do të mbetemi në vendnumëro, të izoluar nga Europa në çdo kuptim edhe në kuptimin e mënyrës se si e trajtojmë gruan dhe vajzën shqiptare dhe unë e di që shumica dërmuese e shqiptarëve dhe në veçanti e grave shqiptare, po dhe e bashkëshortëve edhe e bijve tuaj e kanë marrë tashmë vendimin dhe mezi po presin të vijë dita.

E pra zonja të nderuara dita po afron, e diela është dita juaj, nuk është dita e politikanëve, nuk është dita e partive politike, sepse është dita për Shqipërinë, është dita për shqiptarët, është dita për shqiptarët, është dita për nënat, është dita kur ju do të vendosni që mos t’ju vidhen edhe 4 vite të tjera nga i njëjti që kishte 8 vite në pushtet e nuk bëri asgjë, e tani kërkon edhe 4 vite të tjera, 4 vite që do të ti humbni nga familjet tuaja dhe nga fëmijët tuaj. Kjo është zgjidhja, kjo është zgjedhja. Duhet tua them fare qartë, detyrat tona janë të parashtrojmë vizionin, programin e t’ju japim garancinë se me ekipin tonë ne do ta bëjmë këtë program realitet. Dhe këtë kemi bërë ditë për ditë. Ditë për ditë pala tjetër ju e dini mirë se çfarë ka bërë. Gjuha për të cilën ka folur në publik është nga ajo që kur ishim të vegjël po ta përdornim atë gjuhë meritonim një dackë nga prindërit tanë. Dhe kjo më sjell tek një tjetër çështje e rëndësishme. Cili është roli i lidershipit? Të marrë vendimet si ato që ju thash, për kreditë e subvencionuara, për bonusin e bebeve, për vendet e punës, për uljen e barrës së rëndë të taksave, të çmimit të naftës, të energjisë. Pa diskutim të mbështesë biznesin e vogël, shtyllën kurrizore të ekonomisë. Pa diskutim të mbështesë sipërmarrjen në tërësi, sipërmarrjen e grave në veçanti. Padiskutim të garantojë rend dhe siguri, të vërë para përgjegjësisë ligjore ata që përbëjnë kërcënim për jetën dhe sigurinë e qytetarëve. Të financojë arsimin, të përmirësoj shëndetësinë, të kujdeset për shëndetin e qytetarit pa diskutim. Përgjegjësia e lidershipit është t’i marrë këto vendime. Por nuk duhet të harrojmë, njësoj si në familje, njësoj si ju jeni modelet e vajzave. Njësoj si prindërit janë modele për familjet e tyre. Edhe lidershipi është model, në rrallë të parë për bashkëpunëtorët, pastaj për administratën publike, pastaj për gjithë shoqërinë. Ata që kanë pushtetin për ti marrë këto vendime janë edhe modeli që i imponohet shoqërisë. Dhe sot kemi një model i cili prej 8 vitesh e ka ulur stekën ditë pas dite. E ka ulur kaq poshtë saqë mezi dallohet.

E ka ulur stekën përditshmërive për ti bërë shqiptarët të mendojnë dhe të ndjejnë që nuk kemi çfarë të bëjmë. Kështu është, kështu e ka kjo punë, kështu e ka Shqipëria. Po ju e dini fare mirë që nuk është kështu. Që ky është një marifet i një të dështuari, i cili ka bërë të kundërtën e asaj që duhet të bëjë lidershipi i vërtetë. Ta rrisë stekën, ti përmbushë pritshmëritë e nënave shqiptare. T’i përmbushë pritshmëritë e shqiptarëve, ta hapi derën e integrimit europian, ta hapë derën e mundësive për arsim dhe punësim. Pra modeli që e ul stekën edhe në komunikim publik, më 25 Prill do të marrë fund me votën tuaj. Dhe unë kam dy zotime para jush, njëri politik dhe zotimi im politik është plani që kemi ardhur para jush nëna, motra, gra, bashkëshorte, vajza shqiptare. Është një plan realist dhe i zbatueshëm. Dhe nëse ne, nëse unë nuk e përmbush këtë plan nuk vij të kërkoj një mandat të dytë. Kjo është kultura politike e cila do të lindë më 25 Prill, kultura politike që e ka çuar Europën përpara dhe që do ta çojë Shqipërinë drejt Europës. Kam edhe një zotim tjetër sa politik aq edhe njerëzor. Unë besoj se politika më e mirë që i shërben njerëzve është politika me fytyrë njerëzore, politika që ndien me zemër, politika që e prek dhe e ndien dhimbjen e nënave për fëmijët e larguar, politika e cila do ti zgjidhë problemet pa bërë shfaqje, teatro, tam-tame të mëdha, pa bërë zhurmë, politika që nuk okupon, nuk pushton çdo hapësirë publike dhe private, nuk futet në çdo qoshe të ekzistencës së qytetarëve të vet, por që në mënyrë pothuajse të padukshme bën detyrën për të cilën ka lindur, t’iu shërbejë njerëzve për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre.

Ndaj zotohem se politika, qeverisja dhe kryeministri që do të votoni më 25 Prill do të kenë fytyrë njerëzore. Ne do t’ia kthejmë fytyrën njerëzore politikës, ne do t’ia kthejmë ndjenjën njerëzore politikës, ne do t’ia kthejmë institucionet qytetarëve, do t’ia kthejmë shtetin qytetarëve, do t’ia kthejmë administratën dhe shërbimet e saj qytetarëve dhe për këtë mjafton të kemi vullnetin të bëjmë detyrat e përcaktuara me ligj dhe mjafton të ndihemi edhe ne njerëz njësoj si njerëzit të cilëve duhet ti shërbejmë. Pra të jemi mes jush, me ju për t’iu shërbyer ju. Ndaj nuk e harroj kurrë, siç nuk e kam harruar për asnjë çast, që nuk vij tek ju vetëm për t’iu kërkuar votën si kandidati për kryeministër e nesër si kryeministri i vendit, por vij tek ju edhe më përgjegjësitë e mia si qytetar, si familjar, si bashkëshort, si prind, si bir i dy pensionistëve. Të jemi njerëz në radhë të parë, të jemi qytetarë dhe të kthejmë normalitetin në këtë vend, normalitetin e munguar prej kaq shumë kohësh. Këto të dyja pra janë zotimet e mia të para. Normalitet politik me natyrë njerëzore dhe zbatimi i programit tonë i çdo zotimi duke përfshirë në mënyrë të veçantë zotimet e programit tonë për gruan dhe për vajzat shqiptare. Unë e di që ju nuk harroni, as unë nuk harroj. Siç jemi sot këtu, pak ditë para zgjedhjeve, kështu do të jemi përsëri për të bërë bilancin, për të bërë bilancin e vërtetë, pa shfaqje, pa gënjeshtra dhe për të parë njëri-tjetrin në sy. Jam i bindur se dita po afron, që ndryshimi që mezi presim, të bëhet realitet! Jam i bindur se dita po afron, që fitorja e 25 prillit, të jetë e të ndihet fitorja e të gjithë shqiptarëve e në veçanti e nënave dhe e grave shqiptare! Ndaj, ju ftoh që këto ditë të mbetura, të vazhdojmë të jemi bashkë e të trokasim në çdo zemër, në çdo derë, për t’i bërë bashkë të gjitha gratë, nënat, vajzat që duan ndryshimin, që të dielën të votojnë numrin 9 për ndryshimin, e të rihapim rrugën e shpresës, rrugën e mundësive, rrugën e ndryshimit për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb