Kryeministri Avdullah Hoti priti sot në takim homologun e tij Edi Rama, ku e falënderoi për mbështetjen që Shqipëria i ka dhënë Kosovës. Hoti tha se Qeveria e Kosovës e konsideron natyrshëm Shqipërinë si partnerin më të afërt dhe strategjik në procesin e realizimit të synimeve integruese euroatlantike.

Duke folur për gjendjen e re të krijuar në Kosovë, Hoti ritheksoi se Kosova tashmë ka një kulturë të dëshmuar institucionale për t’i përballuar me dinjitet sfidat e tilla që nuk janë të lehta. Po ashtu, Hoti ritheksoi se, pavarësisht rrethanave dhe vështirësive që mund të dalin gjatë procesit, Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që ta zhvillojë agjendën e saj të integrimeve euroatlantike.

“Ne jemi të vendosur ta vazhdojmë procesin e dialogut me Serbinë, me qëllim të arrijmë një marrëveshje të përhershme paqeje e stabiliteti, e cila do të rezultojë me njohjen e ndërsjellë në mes dy vendeve”, tha ai. Ndërkohë, kryeministri Rama, ofroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare për institucionet dhe popullin e Kosovës.

“Shqipëria i ka qëndruar dhe do t’i qëndrojë gjithmonë pranë Kosovës”,- tha Rama, duke theksuar se edhe në të ardhmen, Shqipëria do ta ndihmojë Kosovën në të gjitha proceset. Në fund të këtij takimi, kryeministri Rama e ftoi kryeministrin Hoti për një vizitë zyrtare në Shqipëri, e cila pritet të realizohet këtë të premte, më 3 korrik 2020.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb