Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi se shteti i tij nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet Bashkimit Evropian nëse nuk zgjidh çështjet e pazgjidhura me Kosovën.

“Ka perspektivë për zgjerim, por është e qartë se jo të gjithë anëtarët (e BE-së) kanë të njëjtin oreks”, tha Vuçiq për gazetarët pas samitit në Bërdo mes BE-së dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor.

“Pa zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”, tha ai.

Në Bërdo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Burime të afërta me takimin Kurti-Vuçiç konfirmuan për Radion Evropa e Lirë mbajtjen e këtij takimi. Ky takim u zhvillua në prezencë të kancelares gjermane, Angela Merkel dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

Deri më tani, nuk ka detaje në lidhje me përmbajtjen e takimit.
Më herët gjatë të mërkurës, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu konfirmoi takimin mes Kurtit dhe Vuçiçit.

​Ky takim u mbajt teksa në Bërdo të Sllovenisë u zhvillua samiti mes Bashkimit Evropian dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë samit, Kosova do të përfaqësohet nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Michel: Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për BE-në
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë të mërkurën se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategji për Bashkimin Evropian.

Ai ka përmendur luftën kundër korrupsionit, duke thënë se kjo temë kyçe është e rëndësishme për zbatim edhe brenda vetë vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, BE-ja ka ndarë një shumë të pashembullt të fondeve për ta ofruar këtë rajon me bllokun evropian përmes kryerjes së reformave të nevojshme.

Në një konferencë për media, pas mbajtjes së takimit mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se blloku evropian është i gatshëm të ndërmjetësojë dallimet që janë rezultat i konflikteve të së kaluarës.

“Megjithatë, duhet marrë vendime politike për të arritur përparim”, ka deklaruar ai.

Ai më pas ka folur edhe për procesin e zgjerimit, duke thënë se ekziston një debat i vazhdueshëm në mes të vendeve anëtare të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj.

“Në këtë temë, është e qartë se ende duket arritur përparim, na duhet të vendosim së bashku se çfarë duam të bëjmë së bashku si BE, si duam të marrim vendime”, ka thënë Michel.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: