Në datën 23 shtator 2021, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Gent Sejko, dhe përfaqësues të tjerë të saj, zhvilluan online takimin përmbyllës me Misionin e Bankës Botërore (BB) për Sektorin Financiar (FINSAC). Në këtë takim mori pjesë edhe Përfaqësuesi i Përhershëm i Zyrës së BB-së në Shqipëri, z. Emanuel Salinas.

Diskutimet u përqendruan në ecurinë e ekonomisë shqiptare, zhvillimet në sistemin financiar, ndikimin e pandemisë në ecurinë ekonomike, zhvillimet në sistemet e pagesave dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme, si dhe pritjet për rimëkëmbjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme.

Në fillim të takimit, Guvernatori Sejko paraqiti zhvillimet më të fundit në sektorin bankar ku theksoi se sistemi bankar është mirë kapitalizuar, me likuiditet, me profitabilitet të përmirësuar, ndërsa norma e kredive me probleme ka vijuar rënien.

 DSC1641 498

Në vijim, lidhur me zhvillimet në sistemet e pagesave dhe edukimin financiar, Guvernatori diskutoi me misionin mbi zhvillimet më të fundit në lidhje me Strategjinë Kombëtare për Pagesat me Vlerë të Vogël (2018-2023) si dhe përpjekjet për hartimin e një “Strategjie Kombëtare për Edukimin Financiar”.

Gjithashtu u diskutuan edhe masat e marra deri tani nga Banka e Shqipërisë në lidhje me hartimin e akteve ligjore dhe rregullave të cilat synojnë të transpozojnë Direktivën e Bashkimit Evropian “Për Llogarinë e Pagesës”  me synim kryesor krijimin e “llogarisë bazike” që do të nxisë përfshirjen financiare të popullsisë.

 DSC1825 498

Më tej, diskutimet u përqendruan në fushën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe konkretisht në operacionalizimin e kuadrit rregullator të përafruar me atë të Bashkimit Evropian. Kështu, gjatë periudhës 2017-2021 është kryer progres në drejtim të kuadrit nën-ligjor të lidhur me ndërhyrjen e jashtëzakonshme, nëpërmjet hartimit të 15 akteve rregullative në përputhje me Ligjin 133/2016  “Për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme në banka, në Republikën e Shqipërisë”.

Përfaqësuesit e Misionit të BB-së vlerësuan si mjaft të suksesshme politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë si në përgjigje të situatës së krijuar nga COVID-19, ashtu dhe në kontributin e vazhdueshëm qe ajo ka dhënë në reduktimin e kredive me probleme, në përmirësimin e kuadrit rregullator, dhe përafrimin e tij me standardet më të mira ndërkombëtare.

 DSC1895 498

Më në veçanti u vlerësuan politika e Bankës së Shqipërisë për ruajtjen e stabilitetit financiar të vendit dhe shëndetit të bankave, pavarësisht sfidave dhe vështirësive me të cilat u përball Shqipëria gjatë periudhës së pandemisë.

Guvernatori Sejko falënderoi Bankën Botërore për kontributin e dhënë gjatë këtyre viteve dhe iniciativave të  ndërmarra në fushat e reformimeve programore dhe politike si dhe për asistencën teknike që i ka ofruar Bankës së Shqipërisë, kryesisht në fushat e mbikëqyrjes bankare, sistemeve të pagesave, edukimit financiar dhe ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në përfundim, bashkëbiseduesit diskutuan mbi projektet e ardhshme të Bankës së Shqipërisë, të cilat mund të mbështeten nëpërmjet asistencës teknike të ofruar nga Banka Botërore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb