TIRANË

Deputeti i PD-së dhe i mandatuari i grupit të Alibeajt, Gazment Bardhi ka folur sot për takimin me kreun e Këshillit Kombëtar të PD-së Edi Paloka.

Bardhi tha pas mbledhjes së grupit se takimi ka qenë me frymë të plotë mirëkuptimi. Ai theksoi se njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces dhe se do duhet që të krijohet një moment bashkëpunimi i sinqertë mes demokratëve për të gjetur një kandidat të përbashkët fitues.

“Nuk do të zbardh më detaje duke i kërkuar ndjesë opinionit publik. Takimi ka qenë konstruktiv dhe me frymë të plotë mirëkuptimi.
Asnjëri nuk ka pasur një qëndrim për një çështje të caktuar. Kemi shkëmbyer thjesht mendime. Njëanshmëria nuk e ndihmon këtë proces. Demokratët kanë nevojë të jenë bashkë për të mundur Edi Ramën dhe për të bashkëpunuar në mënyrë të sinqertë dhe këtë proces e dëmton vetëm njëanshmëria.

Nuk kam ndërmend të bej bisedime para kamerave aq më tepër kur diskutoj me një koleg të grupit parlamentar. Sot kemi shkëmbyer disa mendime për të gjetur një rrugë se si të bashkëpunojnë demokratët për zgjedhjet lokale. Kur flas për njëanshmëri flas për qëndrime të ngurta. Nëse kemi hyrë në mënyrë të sinqertë në këtë proces nuk duhet të minojmë dialogun, mirëkuptimin dhe bisedën e sinqertë”, tha Bardhi.

Ai deklaroi më tej se do duhet të gjendet një kandidat jo vetëm i përbashkët, por fitues për zgjedhjet vendore.
“Nuk e kam ndjekur procesin e z.Berisha dhe besoj se as ai nuk e ka ndjekur procesin në mbledhjen e sotme. Do duhet që të krijohet një moment bashkëpunimi i sinqertë mes demokratëve për të gjetur një kandidat të përbashkët fitues. Jo vetëm një kandidat të përbashkët, por fitues.
Takimi ishte tërësisht informal, një kafe pune mes dy kolegësh. Ishte një takim informal mes kolegësh të mandatuar për të gjetur rrugë për bashkëpunimin e demokratëve.
Qëndrimi i grupit parlamentar të PD-së i shpallur të hënën që shkoi ka qenë që të jemi të gatshëm të nisim punë që atë ditë”, tha Bardhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: