TIRANË

Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar sot me ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim, me të cilët vitin e kaluar pati tensione. Sot ai u pyet se kush e bëri hapin e parë për përmirësimin e kësaj marrëdhënieve me ambasadoren e SHBA. Meta tha se nuk sheh asnjë problem në këtë drejtim.

“Nuk shikoj asnjë problem në këtë drejtim përveç forcimit të mëtejshëm, bashkëpunimit të mëtejshëm jo vetëm kundër trafikut të qenieve njerëzore, që është një problem tepër serioz dhe që vendi ynë e përjeton shumë për shkak të rritjes së numrit të qytetarëve tanë që largohen dhe për fat të keq dhe të fëmijëve të pashoqëruar nga prindërit të cilët bien shpesh pre e trafikantëve ndërkombëtarë që është një pasojë e madhe jo vetëm për shoqërinë tonë, sepse jo vetëm shkatërron të rinj, fëmijë, familje të ardhshme, por edhe shteron shumë prej energjive të mira të këtij vendi për zhvillim. Lufta kundër trafiqeve duhet të jetë një prioritet për të gjithë ne këtu, për qeverinë, opozitën, parlamentin, e cila duhet të rrisë rolin kontrollues, padyshim në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtar.

Trafikimi është një krim ndërkombëtar, ku trafikantë nga vend të ndryshme organizohen në mënyrë perfektë dhe ata nuk mund të ballafaqohen ndryshe veçse me një bashkëpunim më të fortë ndërmjet organizatave, duke mbështetur shoqërinë civile”, deklaroi Presidenti Meta.

Ndërkohë sa i përket procesit për zgjedhjen e pasuesit të tij, Meta tha se parlamenti duhet të vazhdojë të bëjë punën e tij me përgjegjësi dhe ai vetë me përkushtim deri më 24 korrik.
“Besoj se parlamenti i di detyrimet e tij dhe do ta përmbushë me përgjegjësi maksimale brenda kohës së duhur këtë detyrim kushtetues. Mos i ul tre vota, me 87, megjithatë nuk është e rëndësishme, besoj se dhe parlamenti do vazhdojë të bëjë punën e tij me përgjegjësi dhe unë me përkushtim deri më 24 korrik”, tha Meta.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: