Vazhdon takimi mes ekspertëve të UEFA-s dhe anëtarëve të Shoqatave Rajonale të Futbollit në ambientet e FSHF. Në takim po dëgjohen të gjithë anëtarët e shoqatave që kanë ngritur akuza për manipulime në zgjedhjet e zhvilluara brenda shoqatës.

Përveç asaj të Tiranës, të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të shoqatave të tjera, si ajo e Gjirokastrës dhe atyre shoqatave që kanë pasur kontestime. Duke dëgjuar të gjithë anëtarët, ekspertët e UEFA do të nxjerrin një raport të detajuar lidhur me situatën e zgjedhjeve.

Më herët, Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tirana, Eduard Prodani, tha për mediat se përfaqësuesit e UEFA-s duhet të tregohen të paanshëm, pasi ai është i njohur nga gjykata:

“Përfaqësues të akademive dhe klubeve, anëtarë të shoqatës rajonale të Tiranës kemi ardhur për të kontaktuar përfaqësuesi e UEFA-s. Nuk kemi pasur njoftim, unë jam president i shoqatës i njohur nga gjykata. Do të tentoj të hyj brenda. Ja ku është vendimi i Gjykatës.

Komenti i Federatës është abuziv. Çdo shoqatë në Republikën e Shqipërisë detyrohet t’i çojë vendimet për regjistrim në gjykata. Unë pres të më dëgjojnë. Unë personalisht i kam njoftuar më parë FIFA-n dhe UEFA-n. Ata të tregojnë që janë të paanshëm”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb