Në konferencën e përbashkët në Beograd në kuadër të samitit “Ballkani i Hapur”, kryeministri Edi Rama tha se thelbi i kësaj nisme është zgjerimi i ekonomisë.

Ai theksoi se nëse tregjet e vendeve në fjalë integrohen me njëra-tjetrën, atëherë ato kthehen në një faktor shumë të rëndësishëm.

Gjatë fjalës së tij , Rama u shpreh se pritet që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët.

“ Mua më vjen shumë mirë që jemi fokusuar aty ku është thelbi i kësaj nisme. Thelbi është sesi të zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona që në vetvete mbetet të vogla, por nëse integrohen me njëra-tjetrën kthehen në faktor të rëndësishëm. Gjithmonë e më tepër po del në pah që kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut dhe që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte që sjellin punësim cilësor dhe shumë më tepër vlerë të shtuar. Më vjen mirë që sot na u dha mundësia të ballafaqohemi me sipërmarrës, të gjithë njëzëri në mbështetje të Ballkanit të Hapur kërkuar që kjo të përkthehet në një realitet të prekshëm në kufi, aty ku fillojnë problemet. Kemi takuar Këshillin e Atlantikut , ardhur enkas në mbështetje të kësaj përpjekje duke pritur që të njihemi me rezultate përfundimtare të një studimi të përgjithshëm që do të ekspozohen në Tiranë dhe për përfitimet e gjashte vendeve dhe jo vetëm tre vendeve. Ndërkohë kemi nënvizuar se nuk kemi asnjë lëkundje për të ndërtuar në vendet tona dhe kemi bindjen se ndërkohë që BE është i zhytur në dilema te veta, mund të konsiderojë disa hapa të rëndësishëm për të ardhur më pranë rajonit. Jemi angazhuar që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët”, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: