Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi deklaroi se takimi i së enjtes në Bruksel mes delegacionit kosovar dhe atij serb është i rrezikshëm për shtetin kosovar. Thaçi theksoi se do të ketë një axhendë serbe në këtë takim.

Kaq mjaftoi që të reagonte zyra e kryeministrit Avdulla Hoti. Këshilltari politik i Hotit, Xhavit Beqiri, tha se presidenti synoi të tërheqë vëmendje me këtë deklaratë me qëllimin që të t’i bëjë më të kujdesshëm delegacionin.

“Siç e dini Qeveria e Kosovës i ka hyrë dialogut për njohje reciproke mes dy vendeve me ide dhe platformë të qartë që mbështetet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Pavarësia, integriteti dhe organizmi i brendshëm kushtetues janë çështje që s’diskutohen. S’ka vend për shqetësim sepse dialogu po organizohet në koordinim të plotë nga Brukseli dhe Washingtoni, prandaj s’ka asnjë arsye për shqetësim. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po punojmë që Kosova të bëhet edhe de juro anëtare e BE-së, NATO-s dhe strukturave të tjera euroatlantike. Po flas në emër të kryeministrit Hoti që s’ka vend për shqetësim. Interesat duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe askush nuk mund të bëjë diçka kundër saj Ka koordinim të plotë institucional. Edhe presidenti edhe kryetarja e Kuvendit dhe gjithë qytetarët janë të informuar. Ka qenë vetë Hoti që ka kërkuar një seancë që të raportojë për marrëveshjen që është procesi më i hapur dhe transparent deri më sot”, tha ai.

Beqiri tha se enjtja jo domosdoshmërish sjell njohjen nga Serbia, por se është e sigurt që asnjë marrëveshje që nuk është e vlefshme bëhet funksionale në Bruksel.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb