Nënkryetari i PD, Luçiano Boçi u shpreh gjatë takimit me diasporën shqiptare në Romë, ku mori pjesë edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, se 1.2 mln shqiptarë janë larguar nga vendi dekadën e fundit.

Boçi tha se dy herë janë larguar shqiptarët masivisht nga vendi i tyre, gjatë Perandorisë Osmane dhe qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“1.2 mln shqiptarë janë përzënë nga Shqipëria. Dy herë janë larguar shqiptarët nga vendi, gjatë pushtimit Osman dhe tani gjatë kësaj qeverie. Sa herë vini në vendin tuaj Rama ju pret me gjoba, çmime të larta… A mund të quhet ky dashnori i diasporës kur hedh vallen e vdekjes me fatet tona, ka ndërtuar në Shqipëri perandorinë e së keqes. Ka ndërtuar ferrin për ju dhe parajsën për familjen e vet. Gjoja do diasporën”, u shpreh Boçi.

Ai ftoi shqiptarët e diasporës të regjistrohen në sistemin online të KQZ, për të patur të drejtën e votës në 11 maj.

“T’i drejtohemi mendjes, arsyes pse duhet të regjistroheni. PD ka patur projekte në historinë e saj, programe për zhvillimin e vendit. Ajo vjen me ide të qarta, me ide shërbyese për t’i shërbyer vendit dhe diasporës”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb