Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë ditës së sotme në Stamboll është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, me të cilin kanë zhvilluar një bisedë produktive.

Presidenti Thaçi nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, shprehet mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë që i bëri Erdogan.

“Mirënjohës për mikpritjen e ngrohtë nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, si dhe për bisedën produktive për të gjitha çështjet me interes të përbashkët, përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale dhe globale. Turqia është një partnere strategjike, e cila ka mbështetur forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Në takimin e sotëm ishte prezent edhe lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli, kurse takimi u zhvillua në rezidencën presidenciale Vahdettin në Stamboll.

Thaçi, ka realizuar udhëtimin e parë jashtë shtetit, në Turqi, prej fundit të qershorit të këtij viti kur Gjykata Speciale propozoi aktakuzën ndaj tij. Ndërsa ishte nisur nga Prishtina për në Vjenë e pastaj do të shkonte në SHBA, Presidentit iu ndal në gjysmë rrugëtimi drejt Shtëpisë së Bardhë pasi Specialja lëshoi njoftim se ka propozuar aktakuzë ndaj Thaçit

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb