Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla ka takuar kryeministrin Albin Kurti në Kosovë.

Gjatë bashkëbisedimit të tyre, Kurti dhe Nikolla kanë cekur dhe çështjen e tensioneve në Veri të Kosovës.

Kurti ka garantuar se vendimi ishte i drejtë dhe jo provokim teksa shtoi se Kosova është gati për dialog, pro Serbia po refuzon.

 

NJOFTIMI NGA KUVENDI

Gjatë takimit me Kryeministrin Kurti, Kryetarja Nikolla e uroi për detyrën dhe pêr suksese në realizimin e vizionit të tij për një të ardhme më të mirë të qytetarëve.

Kryetarja Nikolla e falënderoi Kryeministrin për ndihmën që shteti i Kosovës i ofroi Shqipërisë per përballimin e pasojave te tërmetit dhe për ndihmën e fundit në shuarjen e zjarreve.

Kryetarja  Nikolla vuri ne dukje se bashkërendimi i punëve dhe veprimi i përbashkët me Kuvendin e Kosovës do të jetë një nga prioritetet e detyrës së saj si kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Ajo tha se duhet të shfrytëzohet sinergjia e re dhe të niset me plane konkrete takimesh e agjendash që të ketë rezultate për qytetarët. Ajo nenvizoi se do të nxisë bashkëpunimin e shkëlqyer vëllazëror midis dy qeverive e institucione homologe të Shqipërisë dhe Kosovës. Për të ndërtuar një mekanizëm më efikas për ndjekjen e zbatimin e projekteve e marrëveshjeve mes dy qeverive, në Komisionin Ndërshtetëror që do të ndjekë ecurinë e marrëveshjeve ndërqeveritare do të bëjnë pjesë, përveç ministrave, edhe përfaqësues të komisioneve parlamentare.

Kryeministri Kurti e përgëzoi znj. Nikolla për zgjedhjen Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe ra dakord që duhet intensifikim i bashkëpunimit, sepse janë të gjitha mundësitë që të zëmë hapin si komb.

Kryeministri Kurti nenvizoi se duhet të përshpejtohen përgatitjet për mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

U diskutuan edhe tensionet e fundit në veri të Kosovës që filluan pas nisjes së zbatimit të vendimit për pajisje me targa të përkohshme për automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Kryeministri Kurti ritheksoi se vendimi është i drejtë dhe nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt. Në asnjë vendkalim kufitar nuk ka pasur incidente, ndërsa Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase, tha kryeministri, duke shtuar se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

Lidhur me situatën aktuale kryeministri tha se është në kontakt të vazhdueshëm me zyrtarë të BE-së dhe ambasadorët e QUINT-it, dhe se Kosova është e gatshme për dialog, porse Serbia po refuzon.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb