TIRANË- Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti sot në një takim Zëvendëskryeministrin e parë dhe Ministrin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin. Në takim u vlerësuan marrëdhëniet mes dy vendeve tona të cilat synohet të jenë model në rajon.

Sipas presidentit Nishani “është i rëndësishëm shfrytëzimi më efektiv i infrastrukturës për krijim e një tregu më të madh ekonomik rajonal, duke punuar me pjekuri në tejkalimin e të gjitha sfidave që mund të dalin përpara duke pasur si busull interesin kombëtar në integrimin e ekonomive tona”. Më tej presidenti Nishani sugjeroi bashkëpunim më të ngushtë në mes të dy qeverive tona lidhur me diasporën shqiptare në botë si një pasuri e madhe e kombit tonë.

Nishani vlerësoi lart krijimin e qeverisë së re të Kosovës, si vendimin me të drejtë dhe me të arsyeshëm për perspektivën e Kosovës dhe për partneritet me miqtë ndërkombëtarë. “Ky vendim i pjekur i lidershipit politik të Kosovës është një progres në konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe sovranitetin e Kosovës,” – është shprehur Presidenti Nishani.

Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e Thaçit për afirmimin e një imazhi me vlera pozitive të Kosovës në qendrat e diplomacisë botërore si dhe në trajtimin me maturi të sfidave të brendshme që kalon Kosova.

Presidenti theksoi karakterin strategjik të marrëdhënieve të Shqipërisë me Kosovën, të cilat synohet të shndërrohen në marrëdhënie model në rajon.

Nishani e garantoi Thaçin për mbështetjen e institucioneve të Shqipërisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Ndërsa nga ana tjetër Zëvendëskryeministri Thaçi falënderoi për kontributin dhe ndihmën e presidentit Nishani në konsolidimin dhe çuarjen përpara të marrëdhënieve mes dy vendeve si dhe për përkrahjen dhënë Kosovës dhe institucioneve të saj.

(a.h/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: