Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar pas një takimi të zhvilluar me pedagogët gjatë ditës së sotme ku u diskutua kërkesa e tyre mbi rritjen e pagës dhe mbështetja e kërkimit shkencor.

Pas takimit që nuk rezultoi i suksesshëm, Kushi shkroi se do të vazhdojë dialogu mes dy palëve për sa i përket rritjes së pagave të pedagogëve me synimin që kjo rritje të lidhet me performancën e universiteteve.

Reagimi i ministres Evis Kushi:
Zhvilluam sot një tryezë diskutimi të gjatë me Sindikatën e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë në lidhje me kërkesat e parashtruara prej tyre.
Pjesën më të madhe të çështjeve të parashtruara e kemi tashmë në proces draftimi edhe me Komitetin e Përbashkët të Politikave për Arsimin e Lartë dhe Konferencën e Rektorëve, të tilla si:
– mbështetja e kërkimit shkencor, e cila do të reflektohet edhe në Strategjinë e re Kombëtare të Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit;
– rishikimi i udhëzimit për veprimtarinë dhe ngarkesën mësimore të pedagogëve;
– rishikimi i procedurave për pagesën e orëve suplementare;
– rishikimi i kritereve për marrjen e titujve akademike;
– si dhe rritja e transparencës për veprimtarinë akademike dhe financiare të universiteteve.
Ndërkohë, do të vazhdojmë dialogun për politikën e pagave jo vetëm me ta, por edhe me rektorët e universiteteve dhe grupet e interesit. Ne synojmë që kjo politikë të lidhet me performancën e universiteteve, me qëllim vlerësimin e suksesit dhe nxitjen e cilësisë dhe konkurrencës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb