TIRANË- Krerët e koalicionit të majtë janë takuar sërish sot në vilën 30, pranë Kryesisë së Kuvendit. Në takimin 90 minutësh që ka nisur rreth orës 10:15 dhe ka përfunduar në orën 11:45, kanë qenë të pranishëm, kryeministri Edi Rama, Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, kreu i Grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe si dhe Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj.

Gjithashtu edhe kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi i është bashkuar kësaj tryeze. Mësohet se në qendër të takimit ka qenë projektbuxheti i qeverisë për vitin 2016 si dhe letra që kreu i Kuvendit u ka dërguar krerëve të grupeve parlamentare për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore, por edhe çështje të tjera të aktualitetit.

Në përfundim të këtij takimi, Arben Ahmetaj tha se aleanca është e unifikuar në qëndrimet dhe mendimet e saj, si për buxhetin e vendorëve, si për reformën zgjedhore.

“Në datën 17 është ligji për pushtetin vendor, për funksionimin që kërkon votë të cilësuar, ka një rakordim të plotë. Ne rakordojmë qoftë në detaje qoftë në aspekt politikash. U ra dakord që të krijohet komisioni për reformën zgjedhore. Në parim është rënë dakord për krijimin e komisionit. Pushteti vendor ka 48 mld rritje fondesh. Është rënë dakord edhe për riformulimin e taksës së infrastrukturës e cila është në favor të pushtetit vendor, e gjitha. Idrizi është pjesë e aleancës dhe mendimi i aleancës është unik. Kemi gjetur edhe më të dakordësi plotësisht”, deklaroi Ahmetaj.

Takimi vjen në një kohë kur Kuvendi pritet të miratojë nen për nen dhe më pas në tërësi pr/buxhetin 2016, ndërsa javën e kaluar u miratua në parim drafti i paraqitur nga Qeveria.

LSI më herët kishte shprehur kritika sa i përket buxhetit në zëra të veçantë, si për shpërndarjen e buxheteve të Bashkive, buxheti për Shëndetësinë, apo edhe lidhur me rritjen e akcizës për birrën vendase, dhe uljen e akcizës së prodhimeve të importit. Dakordësi në parim ka marrë edhe letra e kreut të Kuvendit, Ilir Meta për grupet parlamentare në lidhje me ngritjen e një komisioni të posacëm për Kodin Zgjedhor.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb