TIRANË- Propozimi i opozitës, e cila kërkon uljen me 7 lekë për litër të taksës së qarkullimit të automjeteve, ka marrë sot përgjigjen negative të ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Duke folur në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, ministri theksoi se argumentet e këtij propozimi “ishin me shumë politikë, shumë populizëm dhe pak argument”.

“Këto janë propozime elektorale, janë propozime që ju gjeni rastin për t’u bërë të mirë me publikun; për të treguar që ju vuani për nivelin e taksave, që ju vuani për nivelin e çmimit që populli po pëson. Dhe, në fakt, e dini se çfarë keni bërë? Keni qenë qeveri populiste, sepse keni ndërruar nivelet e taksave edhe tre muaj para se të dorëzonit pushtetin! …Por nuk do ketë asnjë influencë në vota”, tha ai.

Sipas tij, propozimi për të ulur në 7 lekë për litër taksën e qarkullimit ka një efekt në buxhet prej 12 miliardë lekë. “Nuk besoj se jeni akoma me të njëjtën teori që keni qenë më parë, që duhet të rritet deficiti dhe borxhi, siç keni bërë në të shkuarën?! – i pyeti ministri i Financave në Komision anëtarët e minorancës.

Duke folur për taksën konkrete të qarkullimit të automjeteve që mblidhet në konsumin e karburantit, ministri Cani theksoi: “në tërësinë e vetë ne themi që: po, është 67 lekë/litër niveli i taksave për naftën dhe 65.5 lekë/litër niveli i taksës për benzinën. Ne e quajmë këtë një taksë të drejtë, taksë transparente… Ne i qëndrojmë argumentit se kushdo që përdor makinën, kushdo që harxhon një litër naftë, kuptohet që paguan 67 lekë, kurse ai që nuk e përdor makinën paguan 0 lekë”. Duke folur për përdorimin e të ardhurave të kësaj takse, Cani tha se kush përdor rrugën, kërkon rrugë dhe mirëmbajtje rrugësh dhe doemos duhet të paguajë; “kush ndot mjedisin, duhet të paguajë për t’u pastruar mjedisi. Nëpërmjet taksës ulet përdorimi i makinave, ulen aksidentet në rrugë, sepse përmirësohet cilësia e rrugëve, rrugët bëhen me standarde të reja apo elementë të tjerë që lidhen me shenjat në rrugë dhe doemos që kjo ndikon dhe në sigurimin e jetës të makinave”,­ vijoi ai.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: