NGA ORNELA MANJANI*

Taksa mbi pasurinë e paluajtshme, në të cilën përfshihen taksa mbi ndërtesat, taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi truallin, do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm dhe do të administrohet nga pushteti vendor. Për caktimin e barrës fiskale, sipas paketës fiskale që pritet të miratohet seancën e ardhshme plenare, vendi është ndarë në katër zona, sipas kategorisë së tokës. Taksa mbi truallin, që është parashikuar në masën 5600 lekë/ha në vit në qytetet kryesore deri në 1400 lekë/ha në vit në qytet e vogla. Në paketën fiskale është vendosur edhe taksa e kalimit të pronësisë mbi ndërtesat.

Vendi është ndarë në tri zona kryesore. Në Tiranë dhe Durrës kjo taksë është 1.000 lekë/m2 për shtëpitë e banimit dhe 2.000 lekë /m2 për ndërtesat për tregti dhe shërbime. Deri tani, kalimi i pronësisë tatohej në bazë të ligjit mbi të ardhurat; taksa mbi kalimin e pronësisë do të shtojë detyrimet e individëve kundrejt shtetit. Një tjetër taksë mbi pronën është ajo për zënien e hapësirave publike. Edhe në këtë rast, vendi është ndarë në tri zona, ku taksa më e lartë është në Tiranë e Durrës, dhe zvogëlohet në mënyrë progresive në bazë të madhësisë së qytetit.

Taksa mbi truallin
Baza e taksës mbi truallin është sipërfaqja e truallit, në hektar, në pronësi apo përdorim të taksapaguesit. Sipërfaqja e truallit në pronësi përcaktohet sipas dokumenteve që e vërtetojnë atë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i truallit bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së truallit në përdorim, pranë bashkisë ku ndodhet trualli. Niveli i taksës caktohet në lekë për hektar. Detyrimi i taksës llogaritet si shumëzim i nivelit të taksës me bazën e tatueshme.

Taksa mbi pasurinë
Taksës mbi pasurinë e paluajtshme i nënshtrohen të gjithë personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, pronarë apo përdorues të pasurive të mësipërme, në territorin e Republikës së Shqipërisë, pavarësisht nga niveli i shfrytëzimit të këtyre pasurive. Bëjnë përjashtim rastet kur në ligj parashikohet ndryshe. Detyrimin për taksën mbi pasurinë e paluajtshme e ka, sipas rastit, pronari ose bashkëpronari, sipas pjesës që zotëron, apo përdoruesi i pasurisë së paluajtshme, për pasuritë që nuk janë të pajisura me dokumente pronësie. Në rast të mungesës së dokumentacionit të pronësisë, përdoruesi i ndërtesës bën një vetëdeklarim të sipërfaqes së ndërtesës, pranë bashkisë ku ndodhet ndërtesa.

Taksa mbi ndërtesën
Niveli i taksës së ndërtesës, nga 5 lekë në vit për m2 në zonat rurale dhe deri në 400 lekë në vit për m2 në kryeqytet për bizneset. Bizneset do të paguajnë taksën për ndërtesën, që është 400 lekë në vit për m2, që do të thotë që, një biznes me sipërfaqe 100m2 do të paguajë 40.000 lekë në vit taksë për ndërtesën.

(Tabelat për taksat mbi tokën bujqësore i gjeni në numrin e sotëm të Gazetës Shqiptare)
(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb