KORCE – Shtimi i taksës për pronarët e dyqaneve pranë pazarit të Korçës ka sjellë përplasje midis Bashkisë dhe Partisë Demokratike. Në një deklaratë për mediat Partia Demokratike e cilëson një gjobëvënie të pastër taksën e re prej 100 lekë për metër katror në muaj për pronarët e dyqaneve.

“Taksa e re nuk është asgjë më pak se një gjobëvënie e pastër një mënyrë për të zhvatur deri në qindarkën e fundit korçarët dhe sigurisht për të pasuruar pushtetarët abuziv, me vendosjen e taksës së re që parashikohet të jetë 100 lekë për metër katror në muaj bashkia kërkon me vetëdije të fus në një krizë edhe më të thellë biznesin e vogël, pa u menduar dy herë se po shkel me të dyja këmbët një të drejtë dhe liri themelore siç është ajo e pronës.”- thuhet në deklaratën e PD-së.

Nga ana tjetër Bashkia e Korçës ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së PD-së, duke theksuar se kjo e fundit përbalt projekte që kanë qëllim zhvillimin e turizmit.
Zëdhënësja e Bashkisë ka theksuar se taksa është vendosur vetëm për pronarët që refuzojnë vënien në shërbim të bizneseve, ndërsa pjesa tjetër e bizneseve janë të gatshme të bashkëpunojnë për të zhvilluar aktivitetin.

“Taksa e përkohshme e cila keqpërdoret politikisht nga PD do të vendoset vetëm për ato pronarë të cilët refuzojnë në mënyrë të pajustifikuar të vendosin në funksion këto ambiente. Është e papranueshme që një investim kaq i madh të vihet në shërbim të orekseve politike të një partie apo individëve të veçantë të cilët në çdo rast gjejnë mënyrën të bëjnë spekulime. Në çdo hap që kemi hedhur ne jemi konsultuar dhe kemi patur mbështetjen e plote të pronarëve dhe për qëllim të përbashkët kemi zhvillimin e kësaj zone të qytetit.”- deklaroi Larisa Katundi drejtore e marrëdhënieve me publikun në Bashkinë e Korçës.

Këshilli Bashkiak në mbledhjen e sotme propozoi vendosjen e taksës prej 100 lek në muaj për ato biznese të cilat nuk pranojnë të ushtrojnë aktivitet apo ti lëshojnë ato me qira. Ndërkaq edhe këshilltarët e djathtë, minorancë në këtë këshill, u kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të mos e miratojnë këtë taksë, duke e cilësuar të të jashtëligjshme.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: