Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilat në bazë të rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, pritet të formojnë Qeverinë e ardhshme të Kosovës, paralajmërojnë zëvendësimin e taksës 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina me reciprocitet ndaj këtyre dy shteteve.

Qeveria në largim e Kosovës, më 21 nëntor të vitit 2018 kishte vendosur taksën 100 për qind ndaj importeve nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si kundërpërgjigje ndaj politikave të këtyre dy shteteve kundër shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në mekanizma e organizata ndërkombëtare. Që nga vendosja e tarifës doganore 100 për qind, produktet nga këto shtete tashmë janë fare pak të pranishme në tregun e Kosovës, ngase ato tashmë janë zëvendësuar me produkte të ngjashme nga vendet e Bashkimit Evropian si dhe nga Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Para vendosjes së taksës, tregu i Kosovës ka qenë i mbushur me produkte nga Serbia. Ky vend ka qenë eksportuesi më i madh i mallrave në Kosovë. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 1.2 milion euro në ditë apo mbi 400 milionë euro në vit, ka qenë vlera e produkteve që kanë hyrë nga shteti i Serbisë në tregun e Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, vlera e prodhimeve “Made in Kosova” në territorin e Serbisë ka qenë rreth 40 milionë euro në vit. Sipas të dhënave zyrtare të Doganës së Kosovës, që nga vendosja e taksës, vlera e importeve nga këto shtete ka rënë për 99 për qind. Bahri Berisha, drejtor i Doganës së Kosovës, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga fillimi i këtij viti deri në fund të muajit shtator, vlera e importeve të mallrave nga Serbia ka qenë 3.3 milionë euro. Kurse në periudhën e njëjtë të vitit 2018, sipas tij, vlera e produkteve të importuara nga Serbia ka qenë 328 milionë euro.

Ndërkaq, nga Bosnje e Hercegovina, për nëntë muajit e këtij viti në Kosovë kanë hyrë mallra në vlerë prej 1.9 milion euro nga 57 milionë euro sa ka qenë në periudhën e njëjtë të vitit të 2018.

“Sa i përket eksportit, Kosova në vitin 2019 në Serbi ka eksportuar 13.6 milionë euro, ndërsa nëse krahasojmë me vitin 2018 kanë qenë 24 milionë euro. Sasia e produkteve kosovare që janë eksportuar në Serbi, ka rënie në 44 për qind”, thotë Berisha.

“E njëjta është edhe me Bosnjë e Hercegovinën edhe pse eksporti në këtë shtet ka qenë jo i madh nga ana e Kosovës. Në këtë vit është 4.2 milionë euro, kurse në vitin 2018 (janar- shtator) ka qenë 6 milionë euro, pra ka një rënie rreth 30 për qind të totalit të eksportit”, theksoi Berisha.

Ndërkohë, në Kosovë pritet që në pushtet të vijnë dy ish-partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto subjekte politike kanë paralajmëruar se taksa apo tarifa doganore mund të zëvendësohet me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti i cili është edhe kandidat i këtij subjekti politik për kryeministër të Kosovës, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, se është i gatshëm dhe i interesuar që tarifën 100 për qind, të zëvendësojë me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, siç ka thënë ai, në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 7 dhjetor 2011.

“Edhe sa i përket dokumentacionit të mallrave, certifikatës së prodhimit të mallit, edhe sa i përket targave të automjeteve, qofshin për qarkullimin e udhëtarëve apo të mallrave, shpedicionit e kështu me radhë, qoftë sa i përket investimeve te njëri- tjetri, duhet ta përdorim parimin e reciprocitetit si garantues normal i bilateralizmit konstruktiv midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti për Radion Evropa e Lirë.

Në atë kohë, më 7 dhjetor 2011, me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë, e cila në pikën e parë të saj, thoshte se “Qeveria e Kosovës, duhet t’i ndërmarrë masat e reciprocitetit të plotë politik, tregtar ndaj Serbisë”.

Një masë reciprociteti, Qeveria e Kosovës kishte zbatuar ndaj Serbisë në muajin korrik të vitit 2011, por vendimi ishte zbatuar vetëm për 50 ditë dhe më pas ishte shfuqizuar. Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, më herët ka thënë se tarifa duhet të bëhet pjesë e marrëdhënieve reciproke me Serbinë, qoftë reciprocitet politik, por edhe ashtu ekonomik, dhe pastaj, sipas saj, Kosova do të insistonte që Serbia mos të kushtëzojë uljen në tavolinën e Brukselit apo të Bashkimit Evropian me tarifën.

Zbatimi i taksës 100 për qind për produktet nga Serbia dhe Bosnja Hercegovina, në aspektin e brendshëm, sipas përfaqësuesve të komunitetit të biznesit ka pasur efekte pozitive në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, kurse në aspektin e jashtëm mbajtja e kësaj takse disa herë është kritikuar nga faktori ndërkombëtar.

Përfitimet dhe humbjet nga taksa.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se “arma” më e fuqishme e qeverisë së re, e cila do të formohet pas zgjedhjeve të 6 tetorit, është dialogu dhe adresimi i problemeve, pasi sipas tij, taksa ka qenë më shumë populizëm sesa substancë ekonomike.

“Ne si ekspertë kemi rekomanduar edhe në të kaluarën se shumë më e rrugës do të ishte që kryeministri Ramush Haradinaj, së bashku me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, pastaj përfaqësuesit e Doganës dhe Administratës Tatimore, të kërkojnë një takim me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Bruksel. T’i adresojnë problemet me të cilat ballafaqohet të bërit biznes dhe tregtia me Serbinë dhe t’i jep një periudhë kohore 60-90 ditë, që këto probleme të zgjidhen duke u bazuar në argumente. Dhe në qoftë se nga BE-ja nuk do kishte përgjigje pozitive, atëherë ka qenë e arsyeshme që Kosova të ishte mbështetur në reciprocitet”, tha ai.

Krahasuar taksën dhe reciprocitetin, Gërxhaliu konsideron se masat reciproke janë më të favorshme për Kosovën.

“Por, dua të besoj se edhe qeveria e re do të ketë prioritet dialogun dhe partneritetin ndërkombëtar, që përmes gjuhës argumentuese këto probleme t‘i kalojnë të kaluarës. Në këtë drejtim, dallimi në mes taksës dhe reciprocitetit është shumë i madh. Përderisa taksa ka qenë një vendim populist politik i pa analizuar mirë, besoj se me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe faktorëve ndërkombëtarë për një dialog dhe argumentim të sfidave të provohet të zgjidhet çështja dhe nëse aty nuk ka rezultate, atëherë është shumë më e rrugës që të kemi reciprocitet sesa të kemi taksë”, tha Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi kanë kërkuar pezullimin apo edhe shfuqizimin e kësaj takse, pasi ajo u konsiderua si shkak që Serbia të tërhiqet nga tavolina e bisedimeve me Kosovën, deri në heqjen e tarifave doganore apo taksës.

Kandidati për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili bazuar në rezultatin preliminar po shihet edhe si mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë, ka thënë se taksa do të zëvendësohet me reciprocitet dhe, siç është shprehur ai, faktorët ndërkombëtarë do të kenë mirëkuptim për këtë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: