TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot se arsyeja kryesore pse karburanti është më i shtrenjtë në Shqipëri është taksa ‘Rama’, 240 lekë për litër. Ai solli argumentet, duke iu përgjigjur dhe Ramës se në 2013 karburanti ishte më shtrenjtë se tani.

“Edhe në parlament dje e patë që tha sa ishte çmimi në 2013. Kur vjen puna për të justifikuar rritjen që ai i bën çmimit të energjisë thotë e rritën tregjet ndërkombëtare. Kur vjen puna për t’u krahasuar me 2013 i harron tregjet ndërkombëtare. Në 2013 çmimi i naftës në bursë ka qenë 110 dollarë fuçia, sot është 79. Pse është më e shtrenjtë nafta, benzina, karburanti shqiptar. Arsyeja kryesore është taksa Rama, 240 l/litër. 100 lekë i shtoi në janar 2014, plus 20% TVSH. 100 lekë i shtoi në janar 2015 plus 20% TVSH. 240 lekë për litër. E paguajnë të gjithë. Dje vetëm këtë çështje nuk e trajtuan as ai, as zëdhënësi i tij”, tha Basha.

Ai denoncoi dhe ish-zëvendës kryeministrin Erion Braçe, duke e cilësuar firmosës të koncesioneve.
“Kur ikën nga salla të dy, lanë atë firmosësin e koncesioneve që ka firmosur të gjitha koncesionet kur ishte zëvendës kryeministër. Ditën firmoste koncesionet, natën shante qeverinë në ‘Facebook’, e dini vetë për kë bëhet fjalë dhe doli ai tha taksën e ka vendosur qeveria e PD. Nuk është e vërtetë. Taksa e qarkullimit me vërtetë është zhvendosur nga pulla tek litri i karburantit, por ka qenë 7 lekë, 8.4 përfshirë TVSH. Kemi bërë protesta ne, kemi ndalur makinat. 65% e çmimit të çdo litri karburant shkon për qeverinë. Ky është i vetmi shpjegim pse karburanti këtu është më i shtrenjtë këtu se në Kosovë e Maqedoni e Veriut. Sepse qeveria vjedh para nga xhepat e qytetarëve dhe nuk i çon te qytetarët”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb