Në fjalën e tij në Asamblenë Kombëtare të PS, kryeministri Edi Rama iu përgjigj akuzave të opozitës për taksat dhe papunësinë.

Rama tha se gjatë këtyre 7 viteve qeverisje ka ulur taksat për qytetarët dhe bizneset e vogla dhe i ka rritur për bizneset e mëdha. Sa i përket punësimit, kryeministri theksoi se nga 2013 deri më 2019 janë punësuar në bizneset e vogla 82 mijë njerëz.

“Kur kërkuam votën e shqiptarëve, iu them se do i jepnim fund shtypjes së taksës së pabarabartë. Ashtu siç nuk i prekëm rrogat, ashtu përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, ulëm taksat për të gjithë ata që janë punonjës me rroga mesatare dhe rritëm taksën për biznesin e madh. Është fakt. Dhe shifra këtu nuk është opinion. Mund të diskutojmë shumë gjëra, taksë e sheshtë apo progresive, por kjo është fakt. Nëse do të kishte vazhduar sistemi i tyre, këto të dhëna do të ishin në arkën e shtetit, por këto kanë shkuar në arkën e familjeve. Ja ku janë dhe shifrat e punësimit. Biznesi i vogël nga 2013 deri më 2019 ka 82 mijë të punësuar më shumë. Ne e dimë me siguri se këta njerëz edhe nëse e gjenin një punë ishin skllevër, pa asnjë sigurim shoqëror, ndërsa sot janë të siguruar. Na thonë se jemi partia e 10 vetëve, por ata kanë paguar 3 herë më shumë. 100 më të mëdhenjtë kanë paguar 400 milionë dollarë më shumë, që janë derdhur në arkën e shtetit. Thonë që këto shifra vijnë si rezultat i faktit që ata kanë marrë më shumë tendera. E pavërtetë, tërësisht e pavërtetë. Do ta nxjerrim edhe shifrën e tenderave.

Këto janë të vërteta të thjeshta që kanë në themel drejtësinë. Sot vijmë në pikën kur e zerojmë taksën dhe e zerojmë dhe TVSH për biznesin e vogël deri në 100 milionë. Nuk është premtim elektoral, por ligj i Kuvendit të Shqipërisë. Zerojmë taksën deri në 140 milionë. Unë e kuptoj që ky zerim krijon problem të madh, sepse është fakt jo garë premtimesh, por duhet të jesh vërtet kaq i mllefosur dhe kaq i ndërkryer, sa të mos qeshësh, e le më të shkosh e ta votosh Lulin, kur thotë ‘ne do e bëjmë 0.5’. Unë jam i bindur se kur të vijë fushata ai do të thotë ‘do ta bëjmë -0.5’. Edhe e bën ai, të jeni të sigurt, se priret për mirë, do që njerëzit të jenë të gëzuar kur iu flet. Por ai thotë se do e bëjmë 0.5, por ama s’ka më tarifa, që do të thotë mos paguani për pastrimin, se do e pastrojë Luli me fshesën e Monikës. Mos paguani për ndriçimin, se do na ndriçojë Iliri me Saliun. Ky është një dëshpërim i madh dhe dëshpërimin e bën më të madh fakti që këto janë sot fakt”, deklaroi kryetari i PS.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb