NGA: Ornela Manjani*

TIRANE- Rreth 88 360 pronarë automjetesh nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura që prej vitit 1999. Pronarët e mjeteve kanë përfituar nga falja e vitit 2011 ku u janë fshirë detyrimet për 11 vjet, por ata nuk kanë shlyer detyrimet për vitet 2011-2015, detyrimi është i regjistruar në sistem. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën të ditur se pronarët e mjeteve duhet të shkojnë pranë këtij institucioni të paguajnë detyrimet dhe në rast se nuk e përdorin më mjetin ta çregjistrojnë atë.
Borxhi
Borxhi arrin në 4.7 miliardë lekë. Pronarët e mjeteve duhet të paguajnë detyrimet për vitet 2011-2015. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor bën me dije se në arkivin kombëtar rezulton se ky numër drejtuesish automjetesh nuk ka kryer asnjë veprim, nuk ka paguar taksa apo shërbime të tjera në lidhje me mjetin, që nga data 1.11.1999. Drejtoria bën me dije se këtyre mjeteve në zbatim të ligjit të faljes të vitit 2011, u janë hequr detyrimet deri në 31.12.2010, por duke qenë se pronarët e tyre nuk janë paraqitur për çregjistrim apo rifutje në qarkullim, ata mbeten debitorë për taksën vjetore të mjeteve të përdorura për vitet 2011­2015.
Shërbimet
Ndërkohë Drejtoria e Shërbimit të Transportit Rrugor nuk ofron asnjë shërbim për drejtuesit e automjeteve që nuk kanë paguar detyrimet e prapambetura. Pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksën e regjistrimit apo taksën e qarkullimit, nuk mund të tërheqin lejet e qarkullimit dhe patentat ndërkombëtare, nuk mund të marrin vërtetime nga tatimet, si dhe shërbimeve të tjera deri në shlyerjen e detyrimit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor një pjesë e mirë e këtyre mjeteve mund të mos jenë fare ekzistente, mund të jenë çuar për skrap apo kanë dalë nga qarkullimi, por detyrimi vijon për shkak të mos çregjistrimit.
Pagesat e taksave
Përdoruesit e automjeteve janë të detyruar të paguajnë taksat e përvitshme për automjetet dhe nuk duhet të abuzojnë, duke qenë debitorë ndaj shtetit. Deri në fund të këtij viti përdoruesit e automjeteve kanë mundësi të rregullojnë marrëdhëniet e tyre financiare në lidhje me taksat e automjeteve. Kjo pasi jemi pikërisht në periudhën e amnistisë fiskale, e cila do të vazhdojë deri më 31.12.2011. Si rezultat i hyrjes në fuqi të Ligjit 10418, datë 21.04.2011, dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave Nr 12, datë 18.5.2011, “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, të gjithë qytetarët duhet të nxitojnë për të përfituar nga falja.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: