* Veliaj: Ata që e drejtojnë janë njerëz të Saliut

TIRANE- Tregtarët dhe pronarët e biznesit të vogël në kryeqytet kanë protestuar paraditen e sotme para bashkisë së Tiranës, kundër rritjes së taksave. Protestuesit i kanë kërkuar kryebashkiakut Erion Veliaj që të ulë taksat dhe të mos shkatërroje biznesin.

“Erjoni duhet të vërë gishtin kokës dhe të ulë taksat. Nëse jo ne do të qëndrojmë këtu derisa ai të ikë. Në atë zyrë duhet të qendrojë dikush që është për atë punë”, tha një protestues.

“Ne nuk jemi këtu kundër individëve, por për të mbrojtur të drejtat tona, për t’u vendosur përballë abuzimit e për t’i thënë ndal dhunës ndaj qytetarëve dhe biznesit”, u shprehën protestuesit.

Protestuesit ripërsëritën kërkesat në lidhje me pretendimet e tyre për rritjen e taksave, që sipas tyre, çon në falimentimin e bizneseve.

“Kryetari i bashkisë të ulë taksat 10-fish. Nësë ai nuk ul taksat më shumë sesa qeveria e kaluar, atëhëre të lërë zyrën e tij, pasi ka dhënë shumë premtime. Erion Veliaj të dalë e të na sqarojë, të na thotë që taksat do të ulen”, u shprehën disa përfaqësues të protestës.

Biznesmenti Nikollaq Neranxi i ka kujtuar kryebashkiakut Veliaj premtimet e pambajtura. Ai iu referua takimit të Veliajt me biznesmenë të Gjirokastrës në fushatën e 2013, kur kandidonte për deputet.

“Më lejoni të lexoj premtimet që ka dhënë në fushatën elektorale Erion Veliaj përpara biznesmenëve të Gjirokastrës: Mbështetja jonë kryesore për biznesin do të vijë përmes lehtësimit të taksave për biznesin e vogël. Do të rijetësojmë funksionin e dhomave të tregtisë. Programi i qeverisë së ardhshme do të ndezë dritën e shpresës për sipërmarrësit shqiptarë”.

Ai u tha tregtarëve që protestojnë para Bashkisë Tiranë se do ta fitojnë betejën e tyre për të ulur taksat e rritura.

“Unë jam këtu për t’ju thënë juve që ata premtimet nuk i mbajnë. Janë jashtë realitetit. Ne këtë betejë do ta fitojmë se jemi në të drejtën tonë”, tha ai.

Përfaqësues të biznesit protestuan edhe në datën 23 shkurt, ku kërkuan tërheqjen e vendimit të këshillit bashkiak për rritjen e taksave.

VELIAJ: KUSH NUK FITON AS 50 LEKE NGA NJE TAVOLINE QE ZE HAPËSIRËN PUBLIKE, MOS TA BLLOKOJE TROTUARIN
Veliaj i është përgjigjur edhe protestës së organizuar ditën e sotme para Bashkisë, duke u shprehur se organizatorë të saj “janë dy ish-drejtorë të Saliut për naftën”. Veliaj u ka bërë thirrje sipërmarrësve dhe tregtarëve të tregohen seriozë, dhe të mos i bashkohen reagimeve politike.

Kryebashkiaku Veliaj tha se biznesit të vogël i janë zëruar taksat, ndërsa për zënien e hapësirave publike jashtë ambienteve të lokalit ata paguajnë 50 lekë për një tavolinë me 4 karrige.

“Sapo kam komunikuar me disa prej tyre, ata që besoj sej anë tregtarë të vërtetë. Dy drejtorë të Berishës për naftën organizojnë protestën, kështu që vjen pak era naftë dhe padrejtësi. Drejtorët e naftës së Saliut kanë trokitur në derën e gabuar. Sa për drejtuesit e lokaleve do të thoja që bashkia i ka zëruar taksat për biznesin e vogël. Brenda aktivitetit ata i kanë taksat zero, ndërsa për zënien e hapësirave publike, është ndryshe. Fjala që është hapësirë publike, nuk do të thotë se është pa zot. Për një tavolinë me 4 karrige, binzesi paguar 50 lekë në ditë. Premtova që do liroj trotuaret dhe po i lirojmë, premtova se do t’ua kthej hapëristat publike qytetarëve, dhe po ua kthej.

Dhe ju më thoni për një grup biznesi që proteston aty. Janë disa lokale në bllok që zënë trotuarin e për një mohito duan 800 lekë, dhe s’paguajnë dot një taksë. Përderisa i zënë hapësirën publike qytetarëve, t’ia paguajë atyre atë. Ku të kalojë një grua me karrocën e fëmijës nëse këto trotuare janë të zaptuara. Ke lokale që thonë nuk mbajmë dot frymën, dhe kanë nxjerrë 50 tavolina jashtë. Kur s’kanë pune pse nxjerrin gjithë ato tavolina. Edhe në ditë me shi, të gjitha tavolinat janë jashtë, duke zënë gjithë trotuarin. Jam këtu të jem avokat i qytetit, dhe do të mbroj të drejtat e qytetarëve. Nëse tavolina jote nuk e nxjerr në 50 lekësh t’ia paguash qytetit, atëherë mos të bllokojnë pronën e qytetarëve”, tha kryebashkiaku Veliaj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb