TIRANE- Makinat me motor mbi 3000 kubikë do të taksohen si makina luksi me Paketën e re Fiskale të prezantuar dje në Komisionin e Ekonomisë nga ministri i Financave Cani. Ndarja e makinave luksi është kundërshtuar nga deputetët e komisionit. Deputeti Ervin Bushati dhe ata të opozitës kërkuan që të rishikohet ndarja që u bëhet makinave si luksoze. Ata kërkuan që ndarja të bëhet në bazë të çmimit dhe markave.

Ministri i Financave shpjegoi se janë kryer konsultime të gjata edhe me Fondin Monetar Ndërkombëtar, por edhe nga FMN nuk është përcaktuar një ndarje si më e mira. Kreu i Financave shpjegoi se në
vend regjistrimi i makinave është sipas cilindratit, në bazë të të cilit është bërë ndarja e taksimit.
Deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati, kërkoi që Financat të shikojnë edhe një herë ndarjen që u bëhet makinave të luksit, duke sugjeruar që kjo të bëhet në bazë të çmimit. “Sugjeroj që ndarja e
makinave të luksit të rishikohet. Në asnjë vend të botës nuk maten makinat luksoze në bazë të cilindratit. Ndarja duhet të rishikohet në bazë të çmimit, por edhe teknologjisë. Makinë luksoze mund të quhet edhe ajo që ka një cilindrat prej 2000 kubikësh. Prandaj ka ikur si koncept, teknologjia ka avancuar”.

Ndryshimi i ndarjes së makinave luksoze u kërkua edhe nga deputeti i Partisë Demokratike, Edmond Spaho. Ai kërkoi që ndarja të bëhet në bazë të markës dhe të çmimit. Ministri i Financave shpjegoi se ndarja
nuk mund të bëhet në bazë të markave të makinës, pasi çmimet e blerjes nëndeklarohen.
“Nuk është e mundur të bëhet sipas markave, pasi në vend çmimet nëndeklarohen. Prandaj e thjeshtuam përcaktimin e kategorisë dhe i dhamë këtë përcaktim. Me këtë lloj përcaktimi janë afërsisht 2,8 për qind e makinave që qarkullojnë në vend, apo 11 mijë automjete. U nisëm nga të dhënat që disponojmë për regjistrimin e automjeteve mbi kubikë. Jemi munduar të gjejmë një definicion se kush futet në
makina luksoze dhe arritëm në përfundimin se aty hyjnë të gjitha makinat mbi 3000 kubikë”.
21 mijë lekë do të jetë taksa e re shtesë e përvitshme për makinat me motor mbi 3000 kubikë. Nga ana tjetër, në momentin e blerjes, pra të regjistrimit, pronarët e këtyre makinave duhet të paguajnë një taksë ekstra prej 70 mijë lekësh për regjistrimin. (Panorama)
(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: