Nga: ADELAJDA XHAMANI*

TIRANE – Taksisti Ulian Kolgjegja, i cili u bë i njohur për tatuazhin me portretin e ish-kryeministrit Sali Berisha në trup, duket se ka ndryshuar mendje. Ai e ka zëvendësuar portretin e Berishës të vizatuar në trupin e tij, me një dragua. Taksisti tregon për “Gazeta Shqiptare” se tatuazhi i ka shkaktuar disa probleme dhe vendosi ta zhdukte. Djaloshi demokrat rrëfen se puna me taksinë e tij i ishte vështirësuar shumë për shkak të kontrolleve të vazhdueshme nga patrulla e policisë rrugore, të cilët sipas Kolgjegjajt e ndalonin pa shkak. Tatuazhi me portretin e Berishës ka bërë që fansi i tij i madh të mos frekuentojë më as plazhet e pishinat. Sot, me një dragua të gdhendur në kraharor, taksisti demokrat ndihet më i lirë. Kolgjegjaj vendosi të tatuonte në trupin e tij portretin e ish-kryeministrit Sali Berisha pas humbjes së Partisë Demokratike në zgjedhjet e kaluara.
Ulian pse e zëvendësove portretin e ish- kryeministrit Sali Berisha me një dragua? Pse vendose ta heqësh tatuazhin?
Nuk kisha në plan ta mbaja gjithmonë në trup. Njeriu do të shkojë në plazh, në pishina…
Pse tatuazhi të pengonte të dilje i zhveshur në plazh?
Po, kam një vit që nuk kam shkuar as në plazh e as në pishina vetëm prej tatuazhit. Nuk shkonte më.
Je mërzitur me Berishën, apo vazhdon ta duash po aq fort?
Jo, nuk jam mërzitur. Unë vazhdoj ta kem idhull Sali Berishën, s’bëhet fjalë.
Mendon se ish-kryeministri do të mërzitet kur të marrë vesh që e ke zëvendësuar portretin e tij me një dragua?
Nuk besoj se do të mërzitet. Kur e kam takuar atëherë, ai u gëzua për tatuazhin. S’ma merr mendja që do të jetë mërzitur. Çdo gjë ka kohën e vet.
Përveç faktit që të pengonte të dilje i zhveshur, të ka sjellë probleme të tjera tatuazhi?
Po, më ka hapur probleme me policinë. Kishte rreth dy muaj që policia më ndalonte dy herë në ditë. Sa më shikonte patrulla me ndonjë pasagjer, më ndalonin e më bënin kontroll pa shkak. Sa më shikonin, më ndalonin kot fare mu në mes të Bllokut pa asnjë arsye. Ma sollën në majë të hundës! Ma nxinë jetën!
I ke kërkuar ndihmë ndokujt?
I kam çuar disa ‘sms’ “Doktorit”, por nuk më ka kthyer përgjigje.
Tani që tatuazhin e hoqe, vazhdojnë të të bezdisin policët?
Jo, ka rreth një muaj që më kanë lënë rehat, sepse bëra dhe një ankesë te Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb