Autoritetet talebane kanë njoftuar ndalimin e transmetimeve radiofonike të Zërit të Amerikës dhe Radios Evropa e Lirë në Afganistan, duke përmendur si arsye ankesat që kanë marrë për përmbajtjen e programeve.

Ndalimi do të zbatohet duke filluar nga 1 dhjetori, sipas një direktive të lëshuar nga ministria e Informacionit dhe Kulturës e talebanëve.

Zyrtarët talebanë nuk kanë dhënë detaje të mëtejshme në lidhje me ankesat e supozuara që ata thonë se kanë marrë rreth programeve që transmetojnë agjencitë e financuara nga SHBA-të.

Mbetet gjithashtu e paqartë nëse ky vendim do të zbatohet edhe për transmetuesit e tjerë ndërkombëtarë në Afganistan.

Në fillim të këtij viti, talebanët ndaluan gjithashtu transmetimet televizive në gjuhën dari dhe pashtu të Zërit të Amerikës, në kanalin privat ‘Tolo News’.

Programet radiofonike të Zërit të Amerikës në gjuhën dari dhe pashtu, të nisura për herë të parë në vitet 1980, arrijnë tek miliona dëgjues në të gjithë Afganistanin dhe respektohen gjerësisht si serioze e të besueshme.

Që nga marrja e pushtetit vitin e kaluar, talebanët kanë vendosur një sërë kufizimesh për mediat dhe gazetarët në Afganistan, përfshirë mbulimin e detyrueshëm të fytyrës nga gratë dhe vajzat.

Grupet që mbrojnë lirinë e shtypit kanë akuzuar talebanët për imponim të censurës së gjerë në media, ngacmim të gazetarëve dhe mohimin e të drejtave që lidhen me punën për gratë e vajzat.

Sipas njoftimeve me dhjetra kanale televizive private, stacione radiofonike e gazeta kanë ndërprerë veprimtarinë e tyre në Afganistan gjatë vitit të kaluar kryesisht për shkak të vështirësive ekonomike dhe kufizimeve që kanë vendosur talebanët. Qindra punonjës të medias janë larguar nga Afganistani nga frika e persekutimit taleban./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: