Kjo është një nga ato histori që vetëm futbolli mund t’i shkruajë: Fabian Duro, freestyler-i i njohur shqiptar, do të pritet në takim nga krahu i djathtë i Karlo Ançelotit, Pol Klement.

Historia bëri bujë gjatë ditës së djeshme dhe e gjitha lindi krejt rastësisht. Djaloshi shqiptar po jepte një nga shfaqjet e tij të zakonshme në rrugët e Mynihut në momentin që u pikas nga Klement, i cili po kalonte aty pranë. Zëvendëstrajneri i Bajernit të Mynihut mbeti i mahnitur nga aftësitë e Duros dhe postoi në profilin e vet në “Twitter” një video me numrat e sportistit.

Por anglezi nuk e la me kaq. Pasi u interesua, ai gjeti mënyrën për të kontaktuar me Fabianin, të cilin e ftoi për një takim në qendrën stërvitore të Bajernit të hënën e ardhshme, shkruan Panoramasport.

Ftesën e konfirmoi Duro me një postim në “Facebook”: “Sapo mora një lajm super të mirë nga zëvendëstrajneri i Bajernit të Mynihut, Pol Klement, që të hënën tjetër të takohemi te fusha e stërvitjes së Bajernit. Shpresoj për lajme të mira”.

28-vjeçari e shoqëron njoftimin me SMS-të e shkëmbyera me numrin dy të stolit bavarez. “Përshëndetje Fabian, më pëlqyen aftësitë e tua në Mynih. Mund të vish në qendrën stërvitore të Bajernit të Mynihut të hënën, 24 tetor, në orën 10:15 për të më takuar? Gjithë të mirat, Poli”, shkruan trajneri. Dhe përgjigjja e sportistit: “Përshëndetje z. Pol. Faleminderit shumë, shumë për përgjigjen tuaj. E kam ëndërr të jem aty. Do të vij patjetër. Faleminderit”.

Fabian-Duro-Pol-Klement
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: