NGA SPARTAK KOKA*
TIRANË- Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë ka ndërmarrë mbrëmjen e djeshme operacionin e koduar “Tallavaja”.

Operacioni kishte si qëllim kontrollin e lokaleve të natës për drogë, prostitucion, armëmbajtje pa leje ku u përfshinë të gjithë seksionet policore.

Plani i masave u përqendrua kryesisht në territorin e komisariatit numër 6 dhe komisariatit numër 3, ku u arrestuan dy persona dhe u shoqëruan për verifikim 24 vajza, që punonin si balerina dhe këngëtare në këto tallava, mes tyre dhe dy rumune.

Më konkretisht është arrestuar në flagrancë Arlond Gashi, 23 vjeç, pronar i një lokali me muzik live që ndodhet në rrugën dytësore Tiranë -Kashar, ku nga kontrolli i ushtruar është konstatuar një ambient i përshtatur për përdorim të lëndëve narkotike.

Gjithashtu u sekuestruan 20 doza kokainë, 5 pjata dhe 3 karta që shërbenin për ndarjen e lëndës narkotike.

Në prangat policore ka rënë edhe Aldi Mata, 23 vjeç pasi në të njëjtin lokal me muzik live në autostradën Tiranë-Durrës i janë gjendur rreth 20 doza lënde e dyshuar narkotike kokainë.

DËSHMITË
Të gjitha vajzat shoqëruara u pyetën në polici me formular të intervistës formale dhe nuk kanë shprehur ndonjë shqetësim, apo të dhëna që kanë të bëjnë me prostitucionin.

Balerinat rrëfyen në polici se paguhen me para në dorë dhe me bakshish nga klientët. Nga verifikimi ka rezultuar se asnjë nga të punësuarit nuk ka kontratë pune. Dy të miturat janë pyetur në prani të psikologes dhe më pas janë marrë nga prindërit.

Ndërkaq është bërë e mundur gjithashtu kapja e 31-vjeçares M.B. e shpallur në kërkim për largim nga banesa në Lezhë. Policia deklaron se operacioni për kontrollin e lokaleve të natës do të vijojë tashmë çdo fundjavë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb