E ftuar në emisionin “Alert” në News24, Tana Kika drejtoreshë e Përgjithshme e Autoritetit Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka folur për Progres-raportin e BE, ku “çaloi” Shqipëria dhe çfarë masash janë marrë për përmirësimin e situatës.

“Progres-raporti i BE përfshin periudhën shtator 2020-2021, procesi i reformës veterinare sapo ka nisur ka 1 vit dhe nuk është plotësuar ende. Patëm një ristrukturim të drejtorive rajonale në muajin mars dhe janë hapur disa herë pozicionet vakante. Janë 50 pozicione vakante nga 640 staf në drejtoritë rajonale dhe 15 nga 43 staf në drejtorinë e përgjithshme. Një gjë tjetër është të plotësosh strukturën dhe gjë tjetër ta bësh atë funksionale. U vlerësua si progres në bërjen eficente dhe plotësimin e vakancave pa tejkaluar vlerësimin e këtyre kapaciteteve. Në fillim të 2021, puna veterinare ka ecur shumë mirë, në lidhje me regjistrimin e kafshëve, raportimin e sëmundjeve dhe është vlerësuar nga Progres-raporti, ku flitet vetëm deri në periudhën shtator 2021, ndaj nuk është pasqyruar mbyllja e zinxhirit, që së fundmi Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve iu ka bërë shëndetit të kafshëve në kontrollet veterinare në thertore dhe tregje. Kjo gjë plotëson gjithë kontrollin dhe përmbyll hallkën e parë të zinxhirit ushqimor. Që nga 1 janari, kemi rekrutuar mjekë veterinerë kontrolli, mjekë veterinerë shërbimi, 33 agronomë, përveç stafit të drejtorisë së përgjithshme dhe shpresojmë që brenda 2021 ose në janar të 2022 të na gjejë me strukturë të plotë. Janë kryer 33 mijë kontrolle veterinare për statusin higjieno-santiare të fermave, statusin shëndetësor të kafshëve, ferma të gjurmuara, doza vaksinash kundër brucelozës, inspektim në klinika veterinare dhe farmaci veterinare. Që më 15 tetor, përveç kontrolleve zyrtare kemi nisur edhe me ndërgjegjësimin e fermerëve për regjistrimin e kafshëve, certifikimin veterinar të kafshëve, lëvizjes së tyre pas certifikimit, tregtimin dhe therjes pas kontrollit përkatës. Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve është hallka kryesore qoftë në shërbimin e kafshëve apo bimëve. Është risi ligji i medikamenteve veterinare, kërkon detajim. Kemi dakordësuar “White Paper” përmban 14 akte ligjore, ligji i shëndetit të bimëve dhe rregullorja e kontrolleve zyrtare. Progres-raporti është ajo që raportojmë çdo 3 muaj në BE, e analizojnë dhe e pasqyrojnë. Progres-raportet janë nxitje për ne, ka nevojë për përditësime ligjore. Skemat e mbështetjes ndaj kafshëve janë të mira, vaksinat, dëmshpërblimet për shkak të brucelozës në gjedh, regjistrimi i kafshëve është falas edhe certifikata e lëvizjes të kafshëve janë falas”, u shpreh Tana Kika.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb