Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet për Ludjan Zaimin, efektivin e policisë të akuzuar për vrasjen e kolegut të tij, Çaush Saliasi, brenda Komisariatit nr.3 në kryeqytet.

Sipas prokurorisë, Zaimi duhet të gjykohet për akuzën e “vrasjes së punonjësit të policisë”.

Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se pas përfundimit të hetimit, avokatët kanë 10 ditë kohë të paraqesin kundërshti, para se dosja të dërgohet në seancë paraprake.

Kujtojmë se në lidhje me ngjarjen është dhënë një dëshmi e një kolegu të tij, i cili ishte  prezent kur ndodhi ngjarja.

“Kur ndodhi ngjarja unë kam qenë në pjesën e oborrit të komisariatit. Në ato momente Caush Saliasi ishte te shkallët dhe ishte duke dredhur një cigare. I fola Caushit dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Në këtë çast Ludjan Zaimi doli nga klasa dhe erdhi pas meje dhe unë e pyes si je dhe pse je i mërzitur? Më tha: Nuk kam asgjë, por hapu dhe shtyhu pak pas. Unë i them pse, por ai ngul këmbë dhe më thotë sërish, shtyhu pas shtyhu. Në atë moment ai nxjerr armën e shërbimit dhe i them çfarë po bën kështu, por ai nuk u kthye dhe u drejtua me armën në dorë drejt Caush Saliasit dhe i thotë këtij të fundit “Tani do të sqarohemi bashkë”. Menjëherë Caush Saliasi u ngrit në këmbë dhe u fut te klasa qe t’i shmangej, por Ludian Zaimi e qëlloi me armën e shërbimit, edhe pse Caushi ra në tokë, Ludiani e qëlloi sërish dhe herë të tjera”, përfundon dëshminë polici me iniciale K.Q.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb