Finalizohet operacioni policor i koduar “Green mail”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të trafikimit të narkotikëve.

Operacioni, nga Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Trafikoi nga Anglia, nëpërmjet postës, pako me lëndë të dyshuar narkotike, vihet në pranga 34-vjeçari. Arrestohet edhe bashkëpunëtorja e tij, e cila mori nga posta, pakon me lëndë të dyshuar narkotike.

Sekuestrohen 2 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 1.3 kg, si dhe një shumë parash.

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve është finalizuar një tjetër operacion policor, i koduar “Green mail”, për goditjen e një rasti të trafikimit të lëndëve narkotike.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
Ardit Gjoni, 34 vjeç, me precedent të mëparshëm penal për tentativë vrasjeje dhe Hava Fuxha., 64 vjeçe, të dy banues në Tiranë.

Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në rrugën “Hiqmet Buzi”, me një pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë 1 kilogram e 223 gramë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Ardit Gjoni e ka siguruar pakon me lëndë të dyshuar narkotike nga Anglia, nëpërmjet postës. Në vijim të veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja H. F., ish-punonjëse e postës, ka marrë në postë, pakon me lëndë të dyshuar narkotike, të dërguar në emër të shtetasit Ardit Gjoni.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Ardit Gjoni, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një tjetër pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë rreth 75 gramë, një shumë parash të dyshuar të përfituar nga kjo veprimtari kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb