Raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, Tanja Fajon, shpreh bindjen se nëse Kosova arrin të dorëzojë detyrat e saj, Parlamenti Europian do të japë mbështetjen e tij për liberalizimin e vizave.

Në një intervistë ekskluzive për dritare.net Fajon numëron hapat që mbajnë larg kosovarët nga udhëtimi pa viza. Ja cilat janë ato!

Kur do të votohet raporti juaj në seancën plenare të PE dhe çfarë mbetet për t’u ndjekur? Kur prisni të lëvizin lirshëm kosovarët në BE?
Topi tashmë është në Gjykatën e Kosovës. Ne kemi dërguar një mesazh shumë të fortë nga Parlamenti Europian, në nisje të kësaj jave, se jemi shumë serioz në mbështetjen tonë për udhëtimin pa viza për qytetarët e Kosovës. Ishte një nga hapat më të rëndësishëm për PE dhe jam shumë e kënaqur, që Komiteti LIBE mbështeti raportin tim, edhe pse me një shumicë të ngushtë.

Ne do të jemi në gjendje për të filluar negociatat me shtetet anëtare të BE-së vetëm pasi të dy kriteret e mbetura të jenë përmbushur. Javët e fundit, shumë njerëz kanë rritur skepticizmin në lidhje me qëndrimin e Brukselit, por nuk ka dyshim. Kosova është në rend dite dhe me votën e së hënës, ne jemi duke ecur hap pas hapi në një drejtim të duhur. Vrulli është këtu, tani. Por, ka ende shumë punë për t’u bërë.

Pas miratimit të marrëveshjes me Malin e Zi, a ka kushte të tjera shtesë për Kosovën? A keni dijeni dhe a ndani shqetësimin e disa shteteve anëtare të BEsë mbi përmbushjen e kritereve për luftën kundër korrupsionit, veçanërisht në nivel të lartë, dhe për krimin e organizuar?

Nuk ka kushte të reja ndaj dy ekzistueseve, që KE i ka përmendur në raportin e tij të fundit. Ne flasim për nevojën urgjente për të ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe nevojën për të pasur një regjistër të qartë të dëshmive mbi rastet e korrupsionit.

Jam plotësisht e vetëdijshme për ndjeshmëritë e marrëveshjes kufitare, por kam ripërtërirë garancitë nga Qeveria e Kosovës se do të bëjë gjithçka është në fuqinë e saj për të gjetur një mirëkuptim edhe në parlament.

Kjo është një çështje e brendshme e Kosovës. Unë vetëm mund të përsëris se pa plotësimin e këtyre dy kushteve, unë nuk mund të vazhdoj procedurën në Parlament. Unë dua të jem e sigurt se ne kemi një shumicë të qartë që do të bindë edhe qeveritë skeptike të BE-së, që Kosova e ka bërë punën e saj dhe se e tregoi me përkushtim të plotë. Nga ana tjetër, po, ne jemi në bisedime të vazhdueshme ndërmjet institucioneve dhe me zyrtarët përgjegjës.

Unë nuk jam duke thënë se është një proces i lehtë. Por, Kosova po bën progresin e saj, kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit. Sipas informacioneve që kam nga Kosova, ka raste të reja nën hetim dhe disa vendime pritet të merren gjatë këtij muaji. Në disa raste të tjera, vendimi është arritur. Është e rëndësishme që ky proces të vazhdojë pa vonesa të mëtejshme. Ne jemi duke ndjekur nga afër zhvillimet dhe sigurisht, që kjo është gjithashtu diçka që duhet bërë veçanërisht për interes të kosovarëve.

Procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën dallon disi nga ai për vendet e tjera të Ballkanit. Përveç qëndrimit të 5 shteteve anëtare të BE-së mbi statusin, a shihni ndonjë ndikim prej refugjatëve?
Ashtu si çdo zgjerim i ardhshëm në BE edhe çdo hyrje tjetër në Shengen apo në një regjim pa viza dëshmon të jetë edhe më i vështirë. Ne kemi pasur disa përvoja të këqija nga heqjet e mëparshme të vizave, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE nuk është në gjëndjen e saj më të mirë me krizën e migrimit. Unë dua të jem e sinqertë.

Po bëj më të mirën time për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë. Unë e di se sa e rëndësishme është për qytetarët e saj që të jenë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në BE. Unë e shoh dritën në fund të tunelit. Shoh që mundësia është aty. Për momentin, ne po debatojmë për heqjen e vizave për të katër vendet: Gjeorgji, Kosovë, Ukrainë dhe Turqi. Ka shumë interesa dhe pritshmëri të larta. Nëse Kosova arrin të dorëzojë detyrat e saj, jam e bindur se Parlamenti Europian do të japë mbështetjen e tij, gjithashtu. /Arta Tozaj- dritare.net/

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: